Fatjon Cuka
21 Qershor 2016•Përditësim: 22 Qershor 2016
TIRANË (AA) – Në ambientet e Qendrës Rinore "Tirana" është hapur sot ekspozita personale e piktorit dhe akademikut turk Süleyman Saim Tekcan, transmeton Anadolu Agency (AA), raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së kësaj ekspozite merrnin pjesë ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, drejtori Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre” në Tiranë, Salih Gültekin, studiues dhe shumë persona të tjera të pasionuar pas artit të pikturës.
Ambasadori Bayraktar theksoi në fjalën e tij se Süleyman Saim Tekcan, ka një vend të rëndësishëm në artin pamor të Turqisë.
"Jam i kënaqur që marr pjesë në hapjen e kësaj ekspozite cilësore. Artisti jonë ka shumë merita qoftë në karrierën e tij akademike, por edhe artistike, duk marrë pjesë edhe në garat ndërkombëtare. Ai ka një vend të rëndësishëm në artin pamor të Turqisë. Një ekspozitë e tillë do ti forcojë marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve”, u shpreh Bayraktar.
Ndërsa drejtori i Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” në Tiranë, Salih Gültekin në fjalën e tij përshëndetëse ka rikujtuar se qendra që ai drejton në Tiranë i ka nisur aktivitet që në vitin 2009. Ai ka shtuar se në kuadër të këtyre aktiviteteve është edhe kjo ekspozitë. "Ekspozita e Süleyman Saim Tekcan konsiderohet një art i rrallë edhe në Turq. Mund themi se është një nga artistët më të mirë në gravurë”, ka theksuar ai.
Kuratori i kësaj ekspozite Elton Koritari e konsideroi si shumë të rëndësishme për artdashësit e Tiranës hapjen e kësaj ekspozite.
Artisti ka sjellë në kryeqytetin e Shqipërisë 37 punimet e tij, të gjitha unike, ku shkrihen mes tyre simbolikat greke, egjiptiane, osmane, turke, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 korrik. Ndërkohë një ekspozitë e tillë ka qenë e hapur disa ditë më parë edhe në qytetin e Shkodrës.
Süleyman Saim Tekcan lindi në vitin 1940 në Trabzon, ndërsa u diplomua në Institutin e Pikturës Gazi në vitin 1961. Më pas vijoi studimet në Universitetin e Arteve të Bukura Arkitekt Sinani ku përfundoi formimin e tij akademik. Gjatë karrierës së tij ai ka themeluar disa studio arti si dhe ka marrë pjesë dhe është vlerësuar me çmime në shumë konkurse ndërkombëtare. Gjithashtu ai ka hapur me dhjetëra ekspozita vetjake dhe është bërë pjesë e shumë ekspozitave kolektive.