Sibel Vezaj
12 Korrik 2016•Përditësim: 13 Korrik 2016
PRISHTINË (AA) - Në qendër të Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti” sot u hap panairi 4 ditor, me punime artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale, mbështetur nga Ministria e Diasporës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në panair marrin pjesë organizata të shumta si dhe qytetarë, të cilët shfaqin produktet dhe prodhimet e tyre, shumica e të cilëve janë punë dore, ku diaspora dhe qytetarët mund të gjejnë veshje tradicionale, punime artizanale e punime të ndryshme.
Këshilltari i lartë i ministrit të Diasporës, Kreshnik Sheremeti u shpreh se ky panair është tanimë tradicional ku ka prodhues të ndryshëm nga qytete të shumta shqiptare, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria.
Ai shtoi se në vitet e kaluara interesimi për këtë panair ka qenë shumë i madh, sidomos të bashkëatdhetarëve nga diaspora që vijnë për vizitë në vendin e tyre, të cilët vijnë të shohin por edhe të blejnë elemente dhe produkte tradicionale e unike.
“Një prej qëllimeve kryesore të këtij aktiviteti është ruajtja e identitetit dhe njoftimi i pjesëtarëve të diasporës me identitetin dhe kulturën e vet, dhe të bëjmë që të ndihem si pjesë e atdheut, sepse edhe janë pjesë e tij”, tha Sheremeti.
Servete Kastrati nga Komuna e Rahovecit, ekspozuese e veshjeve tradicionale të trojeve shqiptare si të Rrugovës, Shkodrës, Drenicës, Dardhishtes, Dukagjinit e të Podgorit, e cila është veshja më e vjetër në Kosovë, u shpreh se në këtë panair merr pjesë që ta prezentojë kulturën shqiptare.
Ajo tha se bashkëatdhetarët nga diaspora shfaqin interesim të madh për këto veshje. “Diaspora mos ta harrojë kurrë traditën dhe kulturën e vendit të vet, të vijnë që të çmallen por edhe të vishen me veshje kombëtare, të marrin kulturën e atdheut dhe ta çojnë atje”, tha Kastrati.
Ndërkohë, këshilltari i lartë i ministrit të Diasporës, Sheremeti bëri të ditur se Ministria e Diasporës bashkë me partnerët e saj ka organizuar mbi 200 aktivitete gjatë ditëve të diasporës, duke mundësuar rritjen e dinamikës së aktiviteteve dhe të ekonomisë në vend.
Ai njoftoi se përgjatë këtyre aktiviteteve, artistë të ndryshëm vendorë për fëmijët e diasporës lexojnë libra në gjuhën shqipe.