Musa Alcan
28 Nëntor 2016•Përditësim: 29 Nëntor 2016
STAMBOLL (AA) – Hapet në Stamboll qendra e 21-të e markës së muzeut të skulpturave nga dylli, Madame Tussauds, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia e hapjes së muzeut në Grand Pera në Bulevardin Istiklal të Stambollit filloi me shfaqjen e filmit ku tregohet procesi i bërjes së skulpturave dhe detaje të muzeut.
Kryebashkiaku i Stambollit, Kadir Topbaş, tha gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes se restaurimi i ndërtesës së Grand Pera-s është punim i rëndësishëm për rigjallërimin e kujtesës së qytetit. Topbaş tha se muzetë vënë në pah vlerat e përbashkëta të njerëzve, duke shtuar më tej se Madame Tussauds do të jetë vend i frekuentuar nga turistët.
Duke e shprehur kënaqësinë e tij që lagjes Beyoğlu sërish do t’i kthehen aktivitetet e dikurshme kulturore, Topbaş tha se “Fusha e muzeve dallon në botë. Ka muze të koncepteve të ndryshme. Madame Tussauds është lider botëror në koncept të ndryshëm. Suksesi i tij është i padiskutueshëm. Muzetë janë tejet të rëndësishëm për arsimin, kulturën dhe të ardhmen. Muzetë janë vlera të rëndësishme që lidhin të kaluarën me të ardhmen. Madje ato janë edhe vende të paqes.”
Qendër kulture, arti dhe turizmi
Kryetari i Bashkisë Beyoğlu, Ahmet Misbah Demircan, nga ana tjetër, theksoi se Beyoğlu është qendër e kulturës, artit, arkitekturës dhe historisë. Demircan shprehu kënaqësinë që mirëpritën një markë ndërkombëtare të muzeve.
“Kinemaja Emek filloi të funksionojë sërish. Kemi një teatër, tetë kinema, vende të ndryshme dhe Madame Tussauds. Gëzohem sepse Beyoğlu ishte zemra e Stambollit, por tani iu shtua një hallkë e re. Tani e tutje njerëzit do të vijnë ta shohin edhe Madame Tussauds-in”, tha Demircan.
Ndërkaq, drejtori i Kulturës dhe Turizmin për Stambollin, Nedret Apaydın, vuri në pah se Madame Tussauds do të jetë njëra nga qendrat më të rëndësishme të Stambollit në fushën e kulturës, artit dhe turizmit.
Duke theksuar se muzeu do të jetë fokus i turistëve vendorë dhe të huaj, Apaydın tha se fakti që Madame Tussauds do të jetë muze i përhershëm i ka shtuar vlerë zonës.
55 veprave në muze çdo vit do t’u shtohen vepra të reja
Drejtori i Përgjithshëm i Legoland Discovery Centre dhe Madame Tussauds për Stamboll, Sarper Hilmi Suner, dha informacione në lidhje me detajet e muzeut. Suner tha se në muze ndodhen 55 vepra, duke shtuar se çdo vit do të rritet kapaciteti i muzeut duke u shtuar nga tri-katër skulptura.
Ai theksoi Madame Tussauds ka një histori prej 250 vitesh, ndërsa muzeu është përfunduar në periudhë prej katër vitesh pas hulumtimeve të gjata dhe bisedimeve me emra të famshëm.
Pas fjalimeve, Kadir Topbaş, Ahmet Misbah Demircan, Nedret Apaydın dhe Sarper Hilmi Suner prenë shiritin dhe shëtitën nëpër muze.
Muzeu do të ofrojë shërbime në katin e parë të Grand Pera-s. Në të ndodhen figurat prej dylli të shumë emrave të famshëm, siç janë Mustafa Kemal Ataturk, Mevlana, Fatih Sulltan Mehmeti, Hidayet Türkoğlu, Brad Bitt, Messi dhe Muhammed Ali.