Ivana Ramadanova
16 Shtator 2016•Përditësim: 17 Shtator 2016
SHKUP (АА) - Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit sot ka vazhduar dita e dytë e edicionit të dhjetë të manifestimit kulturor "Tingujt e Çarshisë", raporton Anadolu Agency (AA).
Siç u paralajmërua nga ana e organizatorëve dje dhe sot qytetarët e Shkupit kanë mundësi të argëtohen në tingujt e një numri të madh të koncerteve, performansave, shfaqjeve folklorike, poezive, koloni artistike dhe prezantimi i zejeve.
Sot në mesditë, të pranishmit patën mundësinë të argëtohen me Dens, dhe më pas vazhduan të argëtohen në performansën e këngëve të vjetra qytetare maqedonase në interpretimin e një grupi të ri të muzicientëve me instrumente klasike.
Në kuadër të manifestimit kulturor u mbajt koloni arti ndërsa është planifikuara të marrin pjesë edhe shoqata tjera kulturore-artistike.
Deri në ora 20 do të mbahet mbrëmja literature ndërsa nga ora 21 deri në ora 24 në sheshin “Filipi i Dytë”, do të interpretojnë Band, Full Stop, DhurataDora, McKresha&Lyrical Son.
Organizator i manifestimit është Qyteti i Shkupit i cili për realizimin e “Tingujve të Çarshisë” ndau 900 mijë denarë, ndërsa për “Të gjithë së bashku” 400 mijë denarë.
“Tingujt e Çarshisë” është manifestim multimedial dhe multikulturor i cili sivjet mbahet për herë të 10-të dhe ka për qëllim të përkujtojë traditën e harruar, të jetësojë disa hapësira jo mjaft të vizituara në Shkup dhe të kontribuojë në emancipimin e mjediseve të pandërtuara në aspektin kulturor, por edhe të japë kontribut në aktivitetet e vazhdueshme të Qytetit të Shkupit për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.