Ivana Ramadanova
23 Mars 2016•Përditësim: 24 Mars 2016
SHKUP (АА) – Administrata gjyqësore ka hyrë sot në një grevë tre ditore e cila sipas organizatorëve do të kulmojë me një marsh protestues të premten, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Sindikatës të punonjësve nga Gjykata e Apelit, Petre Nedellkovski, tha se mllefi ka të bëjë me faktin se kërkesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër, pasi siç tha, qeveria dhe ministria nuk po zgjidhin problemin e tyre.
"Dolëm këtu të përkujtojmë ministrin dhe qeverinë që të përkujdesen për këta nëpunës administrativ. Kërkesa jonë ka të bëjë kryesisht me ndryshimin e ligjit për Shërbyes për çka kërkojmë kthimin e orarit të vjetër të punës nga 7.30 deri më 15.30. Kërkojmë rritje të pagave si dhe të na paguhet pesë përqindëshi për vitin 2015 gjë të cilën e premtoi kryeministri”, tha Nedellkovski.
Greva do të jetë tërëditore ndërsa të enjten nga ora 10:00 deri në ora 11:00 nëpunësit gjyqësorë pakënaqësinë e tyre do ta shfaqin para godinës së gjyqit. Gjatë grevës do të punojnë vetëm shërbimet urgjente dhe ato për lëndët për të cilat shqiptohet masa e paraburgimit.
Sipas organizatorëve, të premten do të mbahet një marsh protestues i cili do të fillojë në ora 12:00 para Parlamentit dhe do të vazhdojë te Ministria e Drejtësisë për të përfunduar para godinës qeveritare. Sindikalistët thonë se greva është thirrur pas negociatave të pasuksesshme me Ministrinë e Drejtësisë lidhur me ndyshimet në ligj.