Agon Fehmiu
01 Prill 2016•Përditësim: 02 Prill 2016
PRISHTINË (AA) – Sot edhe zyrtarisht ka filluar implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me një ceremoni të organizuar nga Dogana e Republikës së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministrat e Qeverisë, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovës, Samuel Zbogar, ambasadori amerikan, Greg Delawie, si dhe përfaqësues të Odave Ekonomike dhe Klubi i Prodhuesve kosovarë, në mënyrë ceremoniale u bë edhe zhdoganimi i parë nga ana e Kryeministrit të Kosovës. Ky zhdoganim i bërë në prani edhe të përfaqësuesit special të BE-së, me tatim doganor të reduktuar konform MSA-së, shënoi edhe fillimin e implementimit të MSA-së nga ana e shtetit të Kosovës.
Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulëzim Rafuna theksoi se dita e sotme shënon shndërrimin e një ëndrre të kamotshme në realitet. “Me këtë marrëveshje, përveç pjesës implementuese në aspekt fiskal dhe mbrojtës të prodhimeve vendore, Dogana do të jetë edhe partnerë i bashkëpunimit administrativ me administratat e vendeve të Bashkimit Evropian, ashtu siç e kërkon Protokolli i Katërt i MSA-së. Pra, që nga sot, ne do të jemi në marrëveshje formale të bashkëpunimit administrativ me 28 administrata doganore të BE-së” tha drejtori i Doganave të Kosovës.
Sipas Rafunës, fillimi i zbatimit i MSA-së nga shteti i Kosovës, njëherësh po shënon edhe momentin kur Dogana e Kosovës po kalon në një nivel më të lartë të avancimit, si në aspektin e llogaridhënies ndaj institucioneve të vendit, ashtu edhe të profesionalizmit dhe integrimit evropian.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditën e sotme e quajti historike dhe e vlerësoi si fillim të një kapitulli të ri të zhvillimit politik, social dhe ekonomik të vendit. Sipas kryeministrit, me hyrjen e sotme në fuqi të MSA-së, Kosova po e vë gur themelin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian, që kushtëzon të drejtat dhe obligimet reciproke në një spektër të gjerë të sektorëve, duke përfshirë respektimin e parimeve demokratike, aplikimin e standardeve evropiane të tregut, konkurrencës, shtetin ligjor dhe pronën e përgjithshme dhe atë intelektuale.
“MSA-ja ka për qëllim të krijimit të një tregu të përbashkët të Kosovës me BE-në dhe të reformave që parashohin të bëjnë bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes së mallrave, të shërbimeve, të punës dhe kapitalit” tha kryeministri Mustafa.
Ai shtoi se, kjo marrëveshje synon të mbështes tranzicionin ekonomik të Kosovës dhe integrimin e saj në tregun e përbashkët evropian, për një periudhë kohore jo më të gjatë se dhjetë vite, nga dita e sotme.
“Deri më sot, marrëdhëniet tregtare mes të Kosovës dhe BE-së kanë qenë të përcaktuara me anë të masave tregtare autonome që kanë përfshirë një seri limitesh dhe lirimesh nga detyrimet doganore për produktet me origjinë nga Kosova. Nga sot, me fillimin e implementimit të MSA-së, do të hiqen barrierat kufizuese në sasi dhe vlerë, sa i përket tarifave doganore. Kompanitë kosovare nga sot do të mund të eksportojnë produktet e tyre, me shpenzime shumë të ulëta, krahasuar me shpenzimet që kanë operuar deri më tani dhe pa barriera administrative” tha kryeministri i Kosovës, duke potencuar se nga dita e sotme prodhuesit kosovarë kanë mundësinë që të shesin produktet e tyre në një treg me mbi 500 milion konsumatorë të BE-së.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu u shpreh se fillimi i zbatimit të MSA-së paraqet një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt familjes evropiane. Sipas tij, MSA-ja ka një rëndësi shumëdimensionale, jo vetëm ekonomike, por edhe politike dhe integruese, duke krijuar mundësi të mëdha për zhvillimin e komunitetit të biznesit kosovar.