Fatma Esma Arslan
03 Dhjetor 2015•Përditësim: 04 Dhjetor 2015
PARIS (AA) - Presidenti i Francës, François Hollande ka shfaqur kënaqësinë e tij për inkuadrimin e Britanisë së Madhe në operacionet ajrore kundër organizatës terroriste DAESH, raporton Anadolu Agency (AA).
Në komunikatën me shkrim të lëshuar nga Pallati i Eliseut thuhet se sulmet e forcave britanike do të kontribuojnë për një luftë më efikase kundër DAESH-it.
Pas debatit 11 orësh në dhomën e Ulët, Parlamenti britanik mbrëmë me 397 vota për dhe 223 kundër votoi fillimin e sulmeve ajrore në Siri.
Pak orë pas vendimit, nga baza ushtarake në Qipro fluturuan bombarduesit Tornado dhe goditën burimet e naftës së DAESH-it në Siri.
Më herët gjatë vitit, Franca filloi me sulmet e saj mbi pozitat e DAESH-it në Siri, ndërsa pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris ku humbën jetën 130 shtetas të saj ka intensifikuar sulmet.