Bekim Buci
29 Maj 2016•Përditësim: 30 Maj 2016
SHKUP (AA) – Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në takimin e liderëve të Procesit "Bërdo-Brioni" që u mbajt në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës (BeH) deklaroi se ky ishte një Samit i suksesshëm në të cilin mund të dëgjohej ajo që për momentin ndodh në Bashkimin Evropian, sa BE-ja preokupohet me veten e saj dhe me adoptimin në sfidat e reja në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas tij, në atë kontekst ishte edhe çështja me krizën e migrantëve, e cila nuk zgjidhet as në mënyrë birokratike as demokratike por duhet të menaxhohet edhe atë në bazë ditore.
"Ne vërtetë mirë u përballëm me migrantët, por prisnim mbështetje dhe ndihmë për atë që pason", theksoi presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov pas pjesëmarrjes së takimit të liderëve të Procesit “Bërdo Brioni” që sot u mbajt në Sarajevë.
“Dëshmuan se ne si Maqedoni i shpenzuam të gjitha resurset tona sepse Armata jonë dhe policia i shfrytëzojnë mjetet buxhetore të cilat kanë të bëjnë në aspektin e sigurisë. Aspektin humanitar e mbulojnë organizatat humanitare, organizata ndërkombëtare, kompani tona vendore, njerëz humanë”, tha Ivanov.
Presidenti i Maqedonisë paralajmëroi se Samiti i procesit të ardhshëm “Bërdo-Brioni” do të mbahet në Maqedoni.
“Kjo është mundësi që Maqedonia ti tregojë përvojat e saj, por edhe të gjitha frustrimet nga bllokadat që i ka deri më tani”, tha Ivanov i cili në takimin e liderëve mes tjerash i informoi kolegët e tij edhe për situatën aktuale në Maqedoni.