Bekim Laci
20 Tetor 2015•Përditësim: 20 Tetor 2015
SHKUP (AA) - Këshilli i Prokurorëve Publik e ka shtyrë për nesër seancën e saj të rregullt e cila ishte planifikuar për sot në orën 10:00, raporton Anadolu Agency (AA).
Dje kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Petar Anevski tha se rendi i ditës mund të zgjerohet me pika të tjera, respektivisht me shkresën e kryetarëve të katër partive më të mëdha politike në të cilën i kërkohet Këshillit të zgjedhë edhe shtatë prokurorë tjerë në Prokurorinë speciale.
Shërbimet e Këshillit njoftuan se seanca është shtyrë për nesër pa dhënë detaje nëse nesër do të vendoset në rend dite zgjedhja e ekipit të Prokurores speciale Katica Janeva, ashtu siç kishte kërkuar ajo.
Prokurorja speciale publike dhe ekipi i saj, sipas marrëveshjes politike të arritur mes katër partive më të mëdha në Maqedoni, do t’i shqyrtojë lëndët që dalin nga përgjimi i paligjshëm në vend.
Prokurorja speciale Janeva propozoi 14 kandidatë si ndihmës të saj, por Këshilli i Prokurorëve Publik zgjodhi vetëm shtatë prej tyre.