Bekim Laci
05 prill 2016•Përditësim: 05 prill 2016
SHKUP (AA) – Deputetët e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, në seancën e sotme të 100-të, votuan një nga një 12 kandidatët të propozuar nga partia shqiptare në koalicionin qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për ministra dhe zv/ministra, raporton Anadolu Agency (AA).
%2F20160405_2_15133242_6975455.jpg)
Kryeministri i qeverisë, përgjegjës për zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme, Emil Dimitriev, duke arsyetuar propozimet e reja pas dorëheqjeve të ish ministrave ditë më parë, tha se bëhet fjalë për dikastere të cilat kanë mbetur të zbazëta si pasojë e dorëheqjeve të ministrave të BDI-së të cilat Parlamenti i konstatoi të hënën.
“Pasi që bëhet fjalë për Qeveri e cila ka për obligim të zbatojë zgjedhjet, nëdrsa e dakorduar mes partive politike me marrëveshjen qershor/korrik në Shkup me mandat dhe specifika të kufizuara, si dhe duke llogaritur afatin e shkurtër që ka mbetur për shpërbërjen e Parlamentit nga shkaku i mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor, konsideroj se është korrekte dhe e përshtatshme të pranohet Propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë”, tha Dimitriev.
Ai shtoi se pret nga ministrat e rinj që të punojnë me përkushtim dhe në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Kryesia e BDI-së ditë më parë vendosi të tërheqë të gjithë përfaqësuesit e vet nga pushteti ekzekutiv i Maqedonisë, dhe të lë të gjitha kompetencat për vendimmarrje të mëtejshme në duart e liderit Ali Ahmeti për të rishqyrtuar politikat e kësaj partie. Një ditë më vonë partia shqiptare njoftoi se ministrat e dorëhequr do të zëvendësohen me emrat e rinj të votuar në Parlament.
Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, sipas propozimit të Ahmetit do të drejtohet nga Festim Halili, Sekretariati për Çështjet Evropiane, nga Arbër Ademi, Ministria e Drejtësisë nga Valdet Xhaferi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nga Pishtar Lutfiu, Ministria e Ekonomisë, nga Driton Kuçi, Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga Bashkim Ahmeti, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nga Shyhrete Elezi, ministër pa resor – për investime të huaja do të jetë Arlind Zeqiri, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, zëvendësministër për Transport dhe Lidhje, Faton Pollozhani, zv.ministër i Financave, Gëzim Beadini dhe zv.ministër i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.