Fatjon Cuka
05 prill 2016•Përditësim: 05 prill 2016
TIRANË (AA) - Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, si dhe deputeti i Parisë Socialiste të Shqipërisë, dhe ish-kryeministri i vendit, Pandeli Mjako, kanë reaguar sot rreth rastit të njohur tashmë si “Dosja Panama”, raporton Anadolu Agency (AA).
Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar sot ku përmes një njoftimi për shtyp, bën të ditur se po punojnë me të gjitha strukturat ligjzbatuese për të sqaruar situatën. “Jemi duke bashkëpunuar për dyshimet mbi kompani apo shtetas shqiptarë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndërsa deputeti Vasili gjatë një prononcimi për mediat ka pohuar se ka edhe informacione që vijnë nga media botërore, ku dhe segmente shqiptare janë të përfshirë në çështjet, sipas tij, të shfrytëzimit apo të shpërdorimit për qëllime të pasurimit të paligjshëm në rastin e Panamasë.
“Mendoj që organet e hetimit shqiptar duhet të jenë absolutisht shumë të vëmendshme për të hetuar çdo ngjarje, çdo informacion, nga çdo lloj burimi që ai vjen, për të gjitha këto lloj ngjarjesh që lidhen me këto parajsa fiskale, në Panama, në Qipro, në ishujt Bahamas, në Dubai, në Monako e gjetkë. Pasi është fare e qartë që burimet e paligjshme dhe mënyrat e pastrimit të parasë apo të evazionit të madh fiskal kanë në këto mjedise, në këto të ashtuquajtura parajsa fiskale, mundësi për të devijuar paratë, që të cilat janë detyrime ndaj fiskut shqiptar, apo për të financuar aktivitete të tjera, ndaj edhe këto hetimit duhen të shtrihen”- u shpreh Vasili.
Duke pasur parasysh që një nga informacionet e fundit lidhet me një aktivitet të caktuar, që ka të bëjë, sipas Vasilit, me aktivitetin e koncesionimit, ai shton se për këtë arsye mendon që nisma konkrete e ndërmarrë nga një grup deputetësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim për përmirësimet e ligjit të koncesioneve është një qëndrim shumë i rëndësishëm, por edhe i dobishëm.
Ndërkohë lidhur me “Dosjen Panama”, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ku ka pohuar se: “Uroj që skandali i Panamasë të na nxjerrë sa më të pastër që të mos kemi probleme me ligjin”. Këtë deklaratë Majko e bëri gjatë një seance të Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë.