Zulfija Jakup
13 Tetor 2015•Përditësim: 13 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) - Qeveria e Kosovës dënoi sulmet ndaj institucioneve të shtetit ligjor dhe forcave të rendit dhe sigurisë, natën e kaluar në protestat e dhunshme të "Vetëvendosjes", pas arrestimit dhe marrjes në bisedë në polici deputetin e kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësim dhe keqardhje për shkak të dhunës nga një grup militantësh të partive opozitare, natën e kaluar, mbi policinë e Kosovës dhe institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës, ku u plagosën rëndë disa policë dhe u dëmtuan objektet publike dhe private që shkaktuan ankth në mesin e qytetarëve.
"Aktet e vandalizmit ekstrem, të cilat u manifestuan gjatë protestave të dhunshme të thirrura dhe të kontrolluara nga udhëheqësia e Lëvizjes "Vetëvendosje", me mbështetjen e partive të tjera opozitare, kërcënon rendin dhe ligjin, punën e autoriteteve të pavarura shtetërore dhe interesat kryesore të qytetarëve të Kosovës", thuhet në reagimin e qeverisë.
Qeveria e Kosovës fton partitë opozitare që të përmbahen nga veprimet dhe veprimi anarkik dhe nga përdorimi i dhunës ndaj institucioneve shtetërore, sepse veprimi mbi ligjin për të realizuar politikën ditore, është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Bilanci i mbrëmshën si pasojë e protestave të dhunshme kundër arrestimit të Albin Kurtit ishte 14 policë të plagosur dhe një qytetar i plagosur. Njëri nga policët ka pësuar lëndime të rënda, por nuk është në rrezik për jetën.
Ish-lideri i "Vetëvendosjes" Albin Kurti hodhi gaz lotsjellës javën e kaluar në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës dhe e njëjta u ndërpre. Gazi lotsjellës ishte pjesë e veprimeve të opozitës, e cila bllokon punën e Kuvendit për tre javë dhe kërkon tërheqjen e nënshkrimin nga Marrëveshja për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, e arritur më 25 gusht me Serbinë në Bruksel.