Agon Fehmiu
18 dhjetor 2015•Përditësim: 19 dhjetor 2015
PRISHTINË (AA) – Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci dhe kryeshefi ekzekutiv për Evropën Juglindore i kompanisë “Contour Global”, Garry Levesley, sot në Prishtinë, kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për Termocentralin “Kosova e Re”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Contour Global” është kompani që ka fituar tenderin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” dhe që sipas vlerësimeve të para, gjatë 4-5 viteve të ardhshme të fazës së ndërtimit të termocentralit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte do të punësojë rreth 10 mijë njerëz, kurse gjatë operimit do të krijojë rreth 400 vende pune për 40 vitet e ardhshme sa planifikohet të operojë ky termocentral.
“Po flasim për një termocentral i cili do të ketë një kapacitet prej 500 megavatësh, i cili do t’i përmbushë të gjitha standardet mjedisore, për të cilin nuk do të duhet kontribut nga buxheti i shtetit tonë, dhe i cili ka një projeksion të kostove të tarifave të energjisë elektrike i cili është i përballueshëm dhe po ashtu do të na japë mundësi që viteve të ardhshme të kemi mundësi edhe nëse duhet të krijojmë mekanizëm me të cilin do t’i zbusim edhe më shumë këto tarifa”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm nisjen dhe jetësimin e një projekti të madh për ekonominë kosovare dhe në veçanti për sektorin e energjisë, që vjen vetëm një ditë pas përurimit të linjës së interkoneksionit me Republikën e Shqipërisë.
“Me këto dy projekte, do të mund t’i realizojmë qëllimet kryesore të shtetit tonë, që janë edhe qëllime që e përkufizojnë një realitet ekonomik, e po ashtu edhe qëllimet tona në axhendën tonë të integrimeve”, tha Stavileci.
Kryeshefi ekzekutiv për Evropën Juglindore i “Contour Global”, Garry Levesley, u shpreh i gëzuar për këtë fillim historik të bashkëpunimit të gjatë dhe të frytshëm. Ai tha se ky projekt i nevojitet këtij vendi dhe këtij populli.
“Termocentrali i ri 500 megavat është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Kosovë, dhe është një hap i rëndësishëm në rritjen e vendit tuaj të ri. Ky projekt do të krijojë disa mijëra vende të reja të punës në pesë vitet e ndërtimit, dhe do të sigurojë rroga të qëndrueshme për afër 400 punëtorë të kualifikuar, në 40 vitet e ardhshme. Po ashtu, do të ndikojë edhe në rritjen e PBB-së të vendit tuaj, me një për qind, dhe do të përmirësojë dukshëm energjinë elektrike", tha Levesley.
Ai u ndal edhe tek çështja e ndotjes së ambientit dhe theksoi se, ky termocentral do të jetë shumë i pastër pasi që do të ndërtohet me standardet e fundit evropiane dhe do të jetë i aftë për të qenë i përshtatshëm edhe për standardet e së ardhmes nëse ato rriten.
“Do të jetë me standarde të njëjta me të gjitha termocentralet në Evropë. Natyrisht se do të zëvendësojë objektin ekzistues dhe do të përmirësojë dukshëm mjedisin, cilësinë e ajrit dhe sasinë e emetimit të gazrave të vendit tuaj", përfundoi Levesley.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi.
Kryeministri Mustafa deklaroi se ky projekt është ndër investimet më të mëdha të cilat janë zhvilluar në Kosovë dhe projekt i cili do të sigurojë resurse për zhvillim dhe stabilitet të furnizimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ai po ashtu falënderoi Bankën Botërore për përkrahjen e këtij projekti.
Për zëvendëskryeministrin Hashim Thaçin, nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global” është një prej momenteve më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës pas luftës sepse planifikohen investime mbi 1 miliardë euro dhe 10 mijë vende të reja të punës.