Agon Fehmiu
18 Dhjetor 2015•Përditësim: 19 Dhjetor 2015
PRISHTINË (AA) - Qeveria e Kosovës ka mirëpritur raportin e Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, përkundër shtyrjes së vendimit për heqjen e vizave, thuhet në komunikatën e Qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria e Kosovës është e kënaqur me qartësimin të cilin e ka bërë Komisionari për Migrim dhe Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, gjatë konferencës së sotme për shtyp në Bruksel, ku ka theksuar se “Raporti i Tretë i Komisionit Evropian lidhur me progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave” është raporti i fundit në këtë proces dhe ka vlerësuar pozitivisht përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e kushteve dhe obligimeve nga Udhërrëfyesi.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka deklaruar se do të përkushtohet fuqishëm që, gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme të konsolidoj pikëpamjet me Komisionin Evropian rreth kushteve të nënvizuara, duke iu referuar 8 rekomandimeve të fundit që Kosova duhet plotësuar, katër prej të cilave janë kyçe dhe që, sipas komisionarit Avramopoulos, Kosova mund t’i plotësoj gjatë janarit 2016.
“Qeveria e Kosovës dhe të gjitha dikasteret e saj, që nga viti 2012 kanë demonstruar një përkushtim shumë të madh në përmbushjen e të gjitha kritereve të BE-së për liberalizimin e vizave. Raporti nënvizon një numër të kufizuar të fushave ku KE-ja ka rekomandime për zbatim të mëtutjeshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës nënvizon se kushtet e parapara me udhërrëfyes janë plotësuar, dhe Komisioni Evropian është informuar për të gjitha veprimet e ndërmarra. Pavarësisht kësaj", thuhet mes tjerash në një komunikatë të Qeverisë.
Qeveria ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën për të bërë reformat e duhura dhe të nevojshme në kuadër të procesit integrues evropian duke ritheksuar rëndësinë që ka për qytetarët e Republikës së Kosovës liberalizimi i vizave dhe lëvizja e lirë në vendet e BE-së si një e drejtë elementare.