Kristina Maslareviç
16 Dhjetor 2015•Përditësim: 17 Dhjetor 2015
BEOGRAD (AA) – Kryetarja e Partisë Demokratike të Serbisë, Sanda Rashkoviç-Iviç, duke paraqitur peticionin me kërkesë për referendum mbi procesin e mëtejshëm të Serbisë drejt Bashkimit Evropian, tha se këtë dokument për më pak se 20 orë e kanë nënshkruar më shumë se 130 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Ajo tha se rruga evropiane dhe hapja e kapitujve në procesin e negociatave janë në kundërshtim me interesat ekonomike dhe kombëtare të Serbisë, e cila dy ditë më parë ka hapur kapitujt e negociatave me BE-në. "Ne besojmë se hapja, veçanërisht kapitulli 35, por edhe kapitulli në tërësi, një instrument i ri në duart e Bashkimit Evropian për presione të reja edhe më të forta ndaj Serbisë. Kapitulli i 35 është kapitulli i kapitullimit të Serbisë", tha Rashkoviç-Iviç.
Ajo tha se ky kapitull e detyron Serbinë të përmbushë detyrimet sipas marrëveshjes së Brukselit e cila plotësisht ndrydh institucionet dhe se në mënyrë të qartë thekson se kërkohet nga Serbia për të formuar kompaninë për furnizimin e energjisë elektrike "Elektrosever", e cila do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës, si dhe flet për dorëzimin e hidro-sistemit të Gazivodës.
"Ajo që bie në sy është normalizimi me Kosovën, siç e quajnë ata, ku Kosova trajtohet si shtet, por që nuk përmendet si shtet, atëherë edhe Serbinë e kanë trajtuar disi si territor. Në këtë mënyrë, Serbia e ka humbur sovranitetin e vet dhe është bërë një lloj territori", tha Rashkoviç-Iviç. Ajo ka shtuar se: "Ne jemi të bindur se hyrja e Serbisë në BE është në kundërshtim të plotë me interesat shtetërore dhe ekonomike të Serbisë, sidomos sot kur BE është në një krizë të përgjithshme. Shumë prej vendeve të saj janë në krizë ekonomike, ajo është e rrethuar me tela dhe mure, prandaj, BE-ja në vitin 2015 nuk është ajo e vitit 2002 apo vitit 2005, ajo është në krizë dhe në prag të shpërbërjes", tha Rashkoviç-Iviç.
Kreu i organizatës djathtiste të Lëvizjes Dveri, Boshko Obradoviç tha se Serbia me siguri nuk do të hyjë në BE në pesë vitet e ardhshme dhe pyeti nëse ka kuptim rruga e Serbisë drejt BE-së.
"BE-ja është sponsori kryesor i Kosovës dhe merr pjesë në ndarjen e territorit të shtetit tonë dhe merr pjesë në ndarjen e Serbisë, dhe ajo që është më dramatike janë presioni ekonomik dhe shantazhet nga Brukseli, ku kontrata më e dëmshme për Serbinë është vet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në", tha Obradoviç.
Kryeredaktor i "Mendimit të ri politik serb" dhe analisti politik Gjorgje Vukadinoviç tha se qëllimi i kërkesës për referendum ëshstë shprehje e lirë dhe demokratike e pikëpamjeve për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe se ftesa për referendum duhet të paraprihet nga një debat publik.
Ai shtoi se referendumi do të ishte i mirë edhe për ata që janë në parim për BE-në, sepse në këtë mënyrë do të tregohet shpirti demokratik i shoqërisë.
"Këtu në thelb kërkohet vetëm shprehja e lirë demokratike dhe të arrihet një qëndrim politik, që është se në këtë moment, një Serbi e tillë, në këtë BE, nuk ka çfarë të kërkoj, dhe për më tepër, ky anëtarësim, i cili nuk është as në rendin e ditës, dhe i cila është shumë i shtrenjtë, është një rrugë qorre", ka thënë Vukadinoviç.