Besar Ademi, Admir Fazlagikj
21 Nëntor 2015•Përditësim: 22 Nëntor 2015
GJEVGJELI (AA) – Pavarësisht numrit të madh të problemeve me të cilat përballen refugjatët duke ikur nga luftërat dhe konfliktet, sulmet e fundit terroriste që ndodhën në Paris, akoma më shumë vështirësojnë udhëtimin e tyre të shpresës.
Kjo situatë, sipas qëndrimeve zyrtare të organizatave që merren me trajtimin e krizës së refugjatëve po bëhet gjithnjë e më e paqëndruesh në të gjitha aspektet e mundshme, si në atë humanitar, ligjor apo të sigurisë, veçanërisht duke marrë parasysh motin e ftohtë, si dhe rreziqet për fëmijët dhe personat tjerë me nevoja specifike. Për shkak të këtyre rrethanave, refugjatët janë lënë në një pozitë të pasigurt dhe të bllokuar në vendkalimet e ndryshme kufitare.
Anadolu Agency (AA) gjatë xhirimeve në kufirin jugor të Maqedonisë, duke filluar nga vendkalimi kufitar greko-maqedonas deri në qendrën e pritjes së refugjatëve, vërejti turma të mëdha të refugjatëve, ndër to prindër të frikësuar duke u munduar të qetësojnë fëmijët e tyre. Ata tashmë kanë filluar të ankohen për vonesën e procesit të regjistrimit. Mes mijëra refugjatëve ishte edhe Said Abdul nga Afganistani, i cili tha se tashmë që prej dy ditësh pret në rradhë për regjistrim.
Ai u shpreh se nuk është e arsyeshme që regjistrimi të vonohet kaq shumë, pasi që mes tyre ka gra dhe fëmijë të vegjël, për të cilit nuk ka vend të mjaftueshëm as për strehim. Sipas tij këto probleme janë shkak i sulmeve të fundit në Paris.
“Para sulmeve terroriste në Paris, refugjatët shumë më shpejtë dhe më lehtë kalonin kufirin, ndërsa tani kemi mbetur këtu dhe procesi i regjistrimit vonohet shumë. Këta probleme vijnë pas sulmeve në Paris. Ne jemi të shqetësuar dhe të frikësuar, por duam që sa më shpejtë të kalojmë kufirin. Besoj se Evropa do të na pranojë, sepse vijmë nga vende, ku mbizotëron dhuna dhe lufta”, deklaroi Said Abdul.
Jashtë qendrës për pritje të refugjatëve me pjesëtarët e familjes së saj ishte edhe Nivin-i, një siriane e re e cila e tmerruar theksoi se që prej dy ditësh qëndron në rradhët e gjata të refugjatëve, duke pritur të regjistrohet. Poashtu edhe ajo mendon se vonesa e procesit të regjistrimit bëhet për shkak të sulmeve në Paris.
“Nuk di kush ka kryer sulmet në Paris, por këto akte nuk janë kryer nga sirian. Poashtu, nuk jam e frikësuar, sepse nuk kam bërë asgjë të gabuar. Evropa nuk duhet të ketë frikë nga ne, sepse nuk jemi të rrezikshëm. Dua që të na trajtojnë mirë, sepse nuk jemi ne terroristët. Ne ikim nga vendet tona ku mbizotëron dhuna, për arsye se nuk jemi kafshë, edhe ne jemi njerëz. Prandaj, kam vendosur që të largohem sa më larg vendit tim, të vazhdojë studimet dhe të jetojë një jetë më të mirë”, deklaroi Nevin-i.
Pas sulmeve në Paris, refugjatët vonohen në procesin e regjsitrimit në vendkalimet kufitare, mirëpo njëjtë këto sulme kanë ndikuar në sigurinë e tyre, pasi që tek ata është shfaqur një frikë se si do të pranohen në vendet e Evropës.