Hatice Şenses Kurukız,Filiz Kınık,Yunus Ege
18 Tetor 2015•Përditësim: 19 Tetor 2015
STAMBOLL (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Stamboll është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila sot qëndron për vizitë në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan dhe Merkel kanë biseduar rreth çështjes së integrimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, për krizën aktuale në rajon, si dhe për krizën e refugjatëve që ka përfshirë mbarë Evropën. Erdoğan është shprehur se theksi i bisedimeve mbi luftën kundër terrorizmit ka qenë në domosdoshmërinë e luftës së përbashkët kundër të gjitha organizatave terroriste.
Duke theksuar se njëra nga temat e rëndësishme të bisedimeve ka qenë edhe situata aktuale e refugjatëve në Turqi dhe në Perëndim, Erdoğan tha se nga Merkel ka marrë pëlqimin se Perëndimi duhet të ndihmojë Turqinë në ndarjen e barrës për përkujdesjen ndaj refugjatëve.
“Ishte ky një rast ku me kancelaren Merkel biseduam për kapitujt e negociatave mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Nga Gjermania, por edhe nga Franca, Britania e Madhe dhe Spanja kërkojmë mbështetje në këtë proces”, tha Erdoğan.
Kancelarja Merkel shtoi se me presidentin e Turqisë ka biseduar edhe për çështjen e luftës kundër terrorizmit dhe se në këtë drejtim kanë ndarë qëndrime konstruktive.
“Kemi biseduar edhe për gjetjen e domosdoshme të zgjidhjes politike të krizës siriane. Jemi të mendimit se për këto çështje të rëndësishme të vazhdojmë dialogun intensiv”, konstatoi Merkel pas takimit me Erdoğan në pallatin Mubeyn Kosku në Stamboll.
Kancelarja gjermane në kuadër të vizitës në Turqi sot herët në mëngjes është takuar edhe me kryeministrin turk, Ahmet Davutoğlu në pallatin Dolmabahce në Stamboll.