Bekim Laci
14 Prill 2016•Përditësim: 14 Prill 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi, thuhet në njoftimin e zyrës për marrëdhëniet me publikun të Presidencës së Kosovës, falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen e fuqishme të SHBA-vë, si partnere kryesore e Kosovës, dhe për bashkëpunimin, sipas tij, të shkëlqyer për të cilin tha se do të forcohet edhe më tej.
Ai e njoftoi ambasadorin Delawie se do të angazhohet për reforma në sektorin e drejtësisë, në luftimin e korrupsionit dhe diskriminimit si dhe për dialog.
Presidenti Thaçi e përshëndeti raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë gjatë vitit 2015 dhe theksoi se do t'i kushtojë vëmendje të veçantë gjetjeve në raport.