Bekim Laci
22 Mars 2016•Përditësim: 23 Mars 2016
SHKUP (AA) - Instituti për Shëndet Publik në Maqedoni ka shënuar sot 22 marsin, Ditën Botërore të Ujit i cili në Republikën e Maqedonisë shënohet për të nëntën herë radhazi, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftoi Gordana Ristovska nga Instituti për Shëndet Publik, qëllimi i shënimit të kësaj ditë synon të rrisë vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e përdorimit të ujit, kursimit të ujit dhe ruajtjes së resurseve të tij.

Në rastin e Maqedonisë tha Ristovska, institucionet kompetente vazhdimisht ndjekin situatën lidhur me cilësinë e ujit për pije për të shtuar se në vitin 2014 është vlerësuar se rreth 37 përqind e popullatës në Republikën e Maqedonisë ose rreth 770 mijë njerëz jetojnë në vendbanime rurale. Nga to, vetëm 27 përqin e popullatës është e përfshirë në sistemet e ujësjellësit.
Ristovska tha se rreth 62 përqind e banorëve që banojnë në zonat rurale furnizohen me ujë nga ujësjellës të vegjël dhe rreth 4 përqind nga popullata rurale varet nga puset, pompat, çezmat publike, etj. Probleme të përbashkëta të cilat ndikojnë në cilësinë e ujit për pije në sistemet e vogla janë mungesa e tubacioneve mbrojtëse, rrjeti i vjetruar e ujësjellësit dhe trajtimi joadekuat.
"Në mjediset rurale ku kemi rreth 700 mijë banorë, një pjesë e tyre rreth 30 përqind janë të përfshirë në sistemin e ujësjellësit të qytetit dhe 60 përqind janë në sistemet lokale të të cilat nuk kemi shpesh një kompani që kujdeset për sigurinë e ujit, që nënkupton ujë të kloruar. Në këto mjedise ndodhë që uji të mos i plotësojë kriteret e sigurisë", deklaroi Gordana Ristovska nga Instituti për Shëndet Publik.
Sipas saj, në përgjithësi furnizimi me ujë në Maqedoni është i mjaftueshëm, por ndodhë që të paraqitet mungesë e ujit në Tetovë në periudha të caktuara të vitit. Problemi tha Ristovska ka të bëjë me kërkesën e madhe në raport me numrin e qytetarëve të Tetovës.
Në bazë të të dhënave të Kombeve të Bashkuara mbi 3.6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje të cilat lidhen me ujin, çdo ditë në botë vdesin nga 38 punëtorë nga sëmundje të cilat lidhen me ujin, mbi 1/3 e shkollave në shtetet në zhvillim nuk kanë qasje te uji për pije dhe higjienë.