Deniz Çiçek Palabıyık
05 Janar 2018•Përditësim: 07 Janar 2018
DENIZ ÇIÇEK
ANKARA (AA) – Prodhimet e ndërmarrjes "Tecimer Dış Ticaret" e cila i furnizon me materiale për ndihma humanitare organizatat si NATO, Kombet e Bashkuara (OKB) dhe organizatat ndërkombëtare humanitare, dërgohen në katër anët e botës, shkruan Anadolu Agency (AA).
Ndërmarrja “Tecimer Dış Ticaret Ltd. Şti”, aktive në zonën industriale Keresteciler të Kazanit, u formua në vitin 1990 plotësisht për qëllime eksporti. Të gjitha shitjet e ndërmarrjes shkojnë për OKB-në, NATO-n dhe organizatat ndërkombëtare për ndihma.
Drejtori i Përgjithshëm i “Tecimer Dış Ticaret Ltd. Şti”, Hasan Tecimer, në deklaratën për AA, shpjegoi nivelin ku kanë arritur aktivitetet e tyre.
Tecimer bëri të ditur se janë të regjistruar si furnizues të OKB-së dhe shtoi se me materialet për ndihma humanitare prodhonin produkte për mbrojtje.
Ai pohon se deri më tani nuk kanë bërë shitje brenda vendit. “Ishim furnizuesit e OKB-së në tërmetin në Marmara të Turqisë. Shumë prodhime tonat kanë shkuar në shtetet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, në Gjeorgji, Rusi, Afganistan dhe SHBA. Deri më tani kemi arritur në 70 shtete. Punojmë me metoda fituese dhe ofrojmë tenderë ndërkombëtarë. Eksporti ynë vjetor është mesatarisht 5 milionë dollarë", tha Tecimer.
Tecimor thotë se si rezultat i tenderit me NATO, prodhojnë rimorkio uji për ushtrinë amerikane.
“SHBA-ve u kemi dërguar rimorkio. Vazhdojmë me prodhimin sipas kontratës 5 vjeçare. Këto janë prodhime me izolim special. Do të përdoren sipas nevojave të NATO-s. Është një prodhim i suksesshëm dhe ambicioz. Ngjyra e këtij prodhimi u zhvillua në aso mënyre që të zgjasë 8 vite. Prodhimet transportohen me avionë dhe helikopterë dhe janë prodhuar që të jenë rezistent ndaj shpejtësisë, presionit si dhe ndryshimeve të mëdha të temperaturës. Gjatë prodhimit kemi përdorur materiale vendore", tha ai.
Tecimer gjithashtu bëri të ditur se prodhojnë dhe njësi pastruese të ujit të cilat punojnë me energji diellore të dizajnuara nga vet ata, dhe se këto prodhime nëpërmjet kanaleve të OKB-së arrijnë në Afrikë.
Duke treguar se problemi i ujit në fiset dhe fshatrat e Afrikës është zgjidhur nëpërmjet pajisjes që kanë prodhuar, ai shtoi: “Ky material, nëpërmjet kanaleve të organizatave për ndihmë, ka shkuar dhe në rajonet si Iraku dhe Siria. Prodhon ujë të pijshëm pa pasur nevojë për energji elektrike, vetëm nga uji i shiut, uji i mbledhur apo ujërat e liqeneve. Kemi marrë porosinë e dytë dhe të tretë për këtë produkt. Tani bëjmë përpjekje për zhvillimin e mëtejmë të këtij produkti", tha Tecimer.
Ai gjithashtu tha se edhe produktet si rimorkio me karburant dhe kuzhina të lëvizshme kanë arritur në pikat e ndihmave humanitare.
Energji solare në vendet ku mungon energjia elektrike
Më tej Tecimer sqaroi se bëjnë punime Ar-Ge lidhur me një burim energjie që mund të quhet “Power Bank” (Banka e fuqisë) dhe se ky produkt mund të prodhojë energji nga dielli në mjediset ku nuk ka energji elektrike e as gjenerator.
“Industria jonë e mbrojtjes nuk është e kthyer kah ndërmarrjet e vogla, ka vështirësi të mëdha. Mjedisi dhe kriteret e sigurisë i bëjnë të shtrenjta kushtet e punës. E para që kërkohet është që çmimi i investimit të fillojë nga 50 mijë dollarë. Ka furnizues të rëndësishëm në vende si OSTIM, bëjnë punë të mirë dhe mund t’i shërbejnë industrisë së mbrojtjes. Ne u japim produktet tona SHBA-ve, megjithatë nuk mund të bëjmë as reklamimin e produkteve tona brenda”, tha Tecimer duke theksuar se dëshiron të drejtojë industrinë vendase të mbrojtjes.
Ai poashtu theksoi se konkurrencë u bëjnë vendet si Kina dhe India por se do të përballojnë këtë konkurrencë duke rritur cilësinë.