Can Erözden
23 Janar 2017•Përditësim: 24 Janar 2017
ANKARA (AA) - Prodhuesi i celularëve dhe pajisjeve elektronike Samsung, bëri të ditur se mbinxehja dhe shpërthimi në modelin Galaxy Note 7, është shkaktuar nga bateritë me defekte, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën për shtyp nga kompania qendra e së cilës është në Korenë e Jugut, u theksua se problemi në Galaxy Note 7 është shkaktuar nga defekti i prodhimit të baterive.
"Disa muaj të fundit, zhvilluam hulumtime rigoroze me institucione të pavarura që janë specializuar në fushën e tyre. Sot angazhohemi në fitimin e besimit të klientëve më shumë se gjithçka", u shpreh Koh Dong-jin, përgjegjës për njësinë e smartfonëve të Samsung.
Ai u shpreh se Samsung nuk do të përdorë mjete ligjore kundër furnizuesve të baterisë.
Si pasojë e ankesave në lidhje me Galaxy Note 7, kompania në muajin shtator të vitit të kaluar kishte ndaluar prodhimin e smartfonit. Samsung kishte tërhequr një pjesë të madhe të 3 milionë smartfonëve të këtij modeli.