Admir Fazlagikj
07 Gusht 2017•Përditësim: 07 Gusht 2017
SHKUP (AA) – Në prag të finales së UEFA Super Kupës, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e nesërme në stadiumin kombëtar “Filipi i dytë” në Shkup, klinika e toksikologjisë ka siguruar ekipe të dyfishuara në 48 orët e ardhshme, si dhe ekipe tjera shtesë për thirrje, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Me qëllim të ndihmës eventuale shëndetësore më të suksesshme për mysafirët, apelojmë dhe i njoftojmë qytetarët e Shkupit t’i shfrytëzojnë shërbimet e Qendrës Emergjente në spitalin ‘8 Shtatori’, si vend më i afërt ku ata mund t’i marrin shërbimet e nevojshme shëndetësorë”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë.
Nga atje thonë se në të kuadër të ndihmës mjekësore pranë Qendrës shëndetësore Shkup janë siguruar ekipe shtesë, ndërsa automjetet për ndihmë të shpejtë do të jenë të pranishme edhe në sheshin “Maqedonia”, ku do të zhvillohet transmetimi drejtpërdrejtë qendror.
Ministria e Shëndetësisë apeloi deri tek të gjitha institucionet shëndetësore publike për shkallë më të lartë të gatishmërisë, përkatësisht për të siguruar ekipe të mjaftueshme për një rritje të mundshme të numrit të pacientëve.
Skuadrat e Real Madridit dhe Manchester Unitedit tashmë kanë mbërritur në Shkup, ku dhe janë duke kryer përgatitjet e fundit për ndeshjen e nesërme.
Ndryshe, në qytetin e Shkupit mbizotëron një atmosferë sportive, vërehet një numër i madh i turistëve dhe tifozëve të huaj të cilët kanë ardhur për të ndjekur ndeshjen e UEFA Super Kupës.
Qyteti i Shkupit, me këtë rast, organizon aktivitete të ndryshme informative dhe zbavitëse për vizitorët e shumtë në kryeqytetin e Maqedonisë.