Dejan Maksimoviç
15 Qershor 2016•Përditësim: 16 Qershor 2016
GJENEVË (AA) - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se ekziston rrezikshmëri shumë e ulët e përhapjes së virusit Zika si rezultat i mbajtjes së Lojërave Olimpike Verore në Rio de Janeiro, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekspertët e OBSH-së theksuan se nuk ka nevojë të shtyhen apo anulohen Lojërat Olimpike. Ata konfirmuan rekomandimet e tyre të mëhershme se janë kundër çdo kufizimi të udhëtimit ose të tregtisë në zonat e prekura nga virusi Zika, e cila përhapet nga pickimi i mushkonjës.
OBSH-ja më parë kishte shpallur epidemi globale të virusit Zika duke këshilluar gratë shtatzëna që t'i shmangen udhëtimit në Lojërat Olimpike, kurse vizitorët të ndërmarrin masat paraprake për të shmangur pickimin e mushkonjave.