Agon Fehmiu
11 Tetor 2015•Përditësim: 12 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Vuvuzelat, kënga dhe brohoritjet kapluan Prishtinën, ndërsa qielli i Prishtinës u ndriçua nga fishekzjarrët, me mijëra tifozë kuqezi, me flamuj dhe simbole kombëtare e “kallën” atmosferën në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, pasi që Shqipëria mposhti Armeninë në Jerevan, me rezultat 0:3 dhe realizoi ëndrën shekullore të futbollit shqiptarë, duke u kualifikuar për herë parë në një turne të kampionatit evropian, raporton Anadolu Agency.
Kuqezinjtë siguruan vizën për në evropianin “Franca 2016” duke e mposhtur Armeninë me dy gola në pjesën e parë, me autogolin e Hovhannisyan në minutën 10 dhe atë të Berat Gjimshitit në minutën 23 ndërsa golin e tretë që vërtetoi vulosi fitoren e kuqezinjtëve, e shënoi Armando Sadiku në minutën 76.
Pas disfatave zhgënjyese në Elbasan, nga Portugalia dhe Serbia, djelmoshat e Gianni De Biasit mblodhën forcën dhe u përgjigjën në mënyrën më të mirë duke shënuar fitore si mysafirë.
Taktika sulmuese 4-3-3 e trajnerit italian De Biasi rezultoi e frytshme dhe Shqipëria iu shmangë barazhit për kualifikim në Euro 2016, duke zënë pozitën e dytë në Grupin I dhe duke iu bashkuar Portugalisë, si kombëtare që udhëton direkt në Paris, vitin e ardhshëm.