Dejan Maksimoviç
28 nëntor 2015•Përditësim: 29 nëntor 2015
NAIROBI (AA) – Federata e Atletikës së Kenias të premten ka pezulluar gjashtë atletë për shkak të përdorimit të dopingut. Në mesin e tyre është Emily Chebet, kampione e dyfishtë botërore në kros, raporton Anadolu Agency (AA).
Chebet, e cila titullin në kros e fitoi në vitin 2009, dhe 2013, është pezulluar deri në korrik të vitit 2019, pasi në mostrën e saj të gjakut janë gjetur gjurmë furosemide. Ajo këtë vit fitoi vendin e gjashtë në Kampionatin Botëror në Kros, i cili u mbajt në qytetin kinez Guiyangu.
Pezullim katër vjeçar ka marrë edhe Francissca Koki, kampione e Kenias në 400 metra me pengesa dhe Joyce Zakari, vrapuese e 400 metrave për shkak të përdorimit të furosemide-it. Që të dyja ishin pozitive me rastin e testeve doping në Kampionatin Botëror të Atletikës të mbajtur verën e kaluar në Pekin.
Dy vjet pezullim u vendos edhe për Bernard Mwendia, Judy Jesire dhe Lilian Moraa. Dy të parat ishin pozitive ndaj norandrosteron-it, ndërsa tek Moraae në mostrën e gjakut janë gjetur gjurmë eritropoietin-it.
Kohë më parë Federata Botërore e Atletikës vendosi pezullimin ndaj Federatës së Atletikës së Rusisë për përdorim masiv të mjeteve doping nga atletët e saj.