Şenhan Bolelli
11 Dhjetor 2016•Përditësim: 12 Dhjetor 2016
MADRID (AA) – Dy institucionet më të mëdha të futbollit në Spanjë nëpërmjet një deklarate dënuan sulmet terroriste që ndodhën në Stamboll dhe kanë shprehur solidarizimin e tyre me popullin e Turqisë në këtë kohë të vështirë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim nga Liga e Futbollit Profesional (LFP) nën të cilën veprojnë klubet e Ligës së parë dhe të dytë në Spanjë, thuhet se në të gjitha ndeshjet që do të zhvillohen sot dhe nesër në kuadër të Ligës së parë dhe të dytë do të ketë një minutë heshtje në shenjë përkujtimi të viktimave që humbën jetën si pasojë e sulmit terrorist në Stamboll.
LFP, ndryshe e emërtuar si “La Liga”, ka theksuar se është kundër çdo lloj dhune dhe se mbështesin dhe solidarizohen me familjet e personave që humbën jetën në këtë akt barbar.
“Këto lloj akte të dhunës nuk kanë aspak vend në botën e sportit apo në çdo mjedis tjetër”, thuhet në deklaratën e LFP-së.
Nga ana tjetër, Federata Spanjolle e Futbollit thekson në deklaratën e saj me shkrim se ndiejnë pikëllim të madh nga sulmet terroriste që ndodhën në Stamboll.
Në deklaratë thuhet se janë në anën e viktimave dhe se japin mbështetjen e plotë për familjet e personave që humbën jetën.
“Familja e futbollit spanjoll deklaron se në këto kohë të vështirë është pranë popullit të Turqisë dhe shpreh kundërshtimin e saj ndaj çdo lloj dhune”, thuhet në deklaratën e Federatës Spanjolle të Futbollit.