Can Erözden
11 Gusht 2023•Përditësim: 14 Gusht 2023
Sezoni i ri i Premier Ligës angleze fillon me ndeshjen që do të zhvillohet sonte në të cilën kampioni në fuqi Manchester City është mysafir i Burnley-t, raporton Anadolu.
Sezoni i ri do të hapet zyrtarisht me ndeshjen në stadiumin "Tuf Moor" të Burnley-t, por derbi i raundit të parë do të jetë patjetër dueli i së dielës mes Chelseat dhe Liverpoolit në "Stamford Bridge" të Londrës.
Manchester City luftën më të madhe e zhvilloi me Arsenalin për titullin kampion sezonin e kaluar dhe arriti ta fitojë titullin në ndeshjet e fundit, por këtë sezon pritet ta vazhdojë këtë luftë për një trofe të ri.
Paralajmërim për vazhdimin e ndeshjes mes Cityt dhe Arsenalit është fitorja e Arsenalit në Community Shield javën e kaluar, në të cilën e mposhti Manchester Cityn përmes penaltive.
Premier Liga edhe këtë sezon përbëhet nga 20 klube ndërsa ndeshjet e fundit të xhiros së 38-të janë planifikuar të zhvillohen më 19 maj, rreth një muaj para fillimit të Kampionatit Evropian të Futbollit.
Transfertat
Këtë verë, klubet e Premier Ligës kanë bërë transferime të dukshme dhe kanë forcuar radhët e tyre duke sjellë lojtarë të rinj.
Muajin e kaluar, Arsenali nënshkroi me mesfushorin anglez Declan Rice nga West Ham United, i cili konsiderohet një nga blerjet më të mëdha për "topçinjtë".
Qendërmbrojtësi kroat Joshko Guardiol mbërriti në Manchester City këtë verë nga klubi gjerman RB Leipzig. City solli në radhët e tij edhe Mateo Kovaçiq nga Chelsea.
Mesfushori sulmues francez Christopher Nkunku iu bashkua Chelseat nga RB Leipzig. Megjithatë, Nkunku ka pësuar një lëndim në gju këtë javë. Ai pritet të rikthehet në fushë në vjeshtë.
Reprezentuesi anglez Mason Mount është larguar nga Chelsea dhe i është bashkuar rivalëve të përbetuar, Manchester United. Sulmuesi i Atalantas, Rasmus Hojlund nga Danimarka është një tjetër përforcim në radhët e Manchester Unitedit.
Portieri kamerunas Andre Onana gjithashtu kaloi te Manchester Unitedi nga skuadra italiane Inter Milan.
Mesfushori gjerman Kai Havertz, dikur lojtar i Chelseat, këtë sezon do të luajë për rivalët e qytetit Arsenal.
Alexis Mac Allister, fituesi i Kupës së Botës FIFA 2022 me Argjentinën, nënshkroi për Liverpoolin këtë verë. Ai më parë ka luajtur për Brighton&Hove Albion në Premier Ligë.
Liverpool gjithashtu forcoi mesfushën e tyre me nënshkrimin e hungarezit Dominik Soboszlai.
Mesfushori italian Sandro Tonali i është bashkuar Newcastle United nga Milani. Ai ishte një nga lojtarët standard të Milanit në sezonet e kaluara.
Tottenham Hotspur ka sjellë James Maddison nga Leicester City, por ka shitur kapitenin Harry Kane te Bayern Mynihu.
Rekorderët e Premier Ligës
Manchester Unitedi është ende skuadra më e suksesshme në Premier Ligë me 13 tituj në 31 sezone. "Djajtë e Kuq" e fituan kampionatin për herë të fundit në vitin 2013.
Premier Liga në këtë format startoi në vitin 1992.
Shtatë klube kanë fituar titullin e kampionit të Premier Ligës, përkatësisht Manchester United, Arsenal, Chelsea, Manchester City, Blackburn Rovers, Leicester City dhe Liverpool.
Golashënuesit më të mirë
Ish-sulmuesi i Anglisë dhe Newcastle Unitedit, Alan Shearer, mbetet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Premier Ligë, me 260 gola në 441 ndeshje. Shearer e përfundoi karrierën e tij në vitin 2006.
Harry Kane është rivali më i afërt i Shearer në listën e golashënuesve më të mirë të Premier Ligës me 213 gola në 320 paraqitje.
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Evertonit, Wayne Rooney ka shënuar 208 gola në 491 paraqitje në Premier Ligë dhe radhitet i treti në listë. Rooney përfundoi karrierën e tij dy vjet më parë.
Ndeshja e javës së parë në Premier Ligë
E premte
Burnley - Manchester City
E shtunë, 12 gusht
Arsenal - Nottingham Forest
Bournemouth - West Ham United
Brighton - Luton
Everton - Fulham
Sheffield United - Crystal Palace
Newcastle United - Aston Villa
E diel, 13 gusht
Brentford - Tottenham Hotspur
Chelsea - Liverpool
E hënë, 14 gusht
Manchester United - Wolverhampton Wanderers