Dejan Maksimoviç
22 Tetor 2015•Përditësim: 23 Tetor 2015
LONDËR (AA) - Trajneri kroat, Sllaven Biliç, para ndeshjes së klubit të tij West Ham me Chelsea-n të shtunën ka deklaruar se Jose Mourinho është ende trajneri më i mirë në Angli pavarësisht fillimit jo të mirë të sezonit të kampionit aktual, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Çekanët" në anën tjetër kanë filluar mirë sezonin nën udhëheqjen e Biliçit. Ndodhen në pozitën e katër, dhe tashmë kanë mposhtur ekipet si Arsenali dhe Liverpooli. Prandaj ndeshja e së shtunës ndërmjet rivalëve londinez në Upton Park tërheq vëmendje të madhe të opinionit në ishull.
"Para nesh është një sfidë dhe test i madh. Na pret ndeshja e veçantë, sepse ata janë kampionë. Edhe ju mund të thoni lehtë se ai është trajneri më i mirë. Kështu ka punuar gjatë gjithë karrierës së tij, ai është i shkëlqyeshëm. Thjeshtë, ai është Jose Mourinho. Fillimi jo i mirë i tyre vetëm tregon sa është e çuditshme loja e futbollit. Kjo është skuadra që ka fituar titullin. E di që Mourinho është gjithmonë i motivuar. Të gjitha ekipet e tij janë të uritur dhe të gjithë i presin, ndoshta jo në krye të tabelës pas nëntë xhirove, por sigurisht jo aty ku tani ndodhen. Gjërat definitivisht do të kthehen në favor të tyre. Vetëm shpresoj se kjo të mos ndodhë kundër nesh. Në fund të sezonit Chelsean e shoh në mesin e katër ekipeve më të mira", ka thënë Biliç.
Në takimin e së shtunës Biliç nuk mund të llogarisë në Victor Mosesin i cili është i huazuar nga Chelsea në West Ham.