Adel Ömeragiç
21 Maj 2016•Përditësim: 22 Maj 2016
PODGORICË (AA) - Federata e Futbollit të Malit të Zi (FFMZ) sot edhe zyrtarisht është bërë me qendrën e saj administrative. Në prani të një numri të madh të mysafirëve dhe lojtarëve, në lagjen Aeroporti i Vjetër (Stari Aerodrom) të Podgoricës sot u hap Shtëpia e Futbollit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë, e cila u përgatit për Ditën e pavarësisë së Malit të Zi, në hapjen e Shtëpisë së futbollit të pranishëm ishin presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, zv/presidenti i UEFA-s, Angel Maria Villar, president i FFMZ-së Dejan Saviçeviç, kryeministri Milo Gjukanoviç dhe kryetari i komunës së Podgoricës Sllavoljub Stijepoviç.
Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të disa federatave evropiane të futbollit, si dhe lojtarët e famshëm të futbollit, si Davor Shuker, Zvonimir Boban dhe Predrag Mijatoviç. Aty ishin edhe përfaqësuesit e kombëtares së Malit të Zi, anëtarët e stafit teknik, si dhe anëtarët e federatës kombëtare.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino shprehu kënaqësinë që sot ndodhet në Mal të Zi.
"Sot është një ditë e veçantë, dhjetë vjet pas pavarësisë, ju keni treguar se për dhjetë vjet keni arritur të bëni një shtet të suksesshëm. Gjithashtu, kjo është një ditë e rëndësishme, sepse ne do të hapim Shtëpinë e Futbollit, kurse Shtëpia e Futbollit është një simbol që ka mund të bëjë Mali i Zi. Shtëpia e futbollit do të jetë një hap i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në Mal të Zi", tha Infantino.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Saviçeviç falënderoi FIFA-n dhe UEFA-n për mbështetje financiare, por edhe administratën e qytetit të Podgoricës për dhurimin e parcelës për ndërtimin e terrenit dhe Shtëpisë së Futbollit.
"Shtëpia e futbollit përbëhet nga 3.784 metra katrorë. Në kuadër të saj, përpos fushave ndihmëse, ndodhet edhe garazhi në bodrum, mirëmbajtja dhe lavanderi. Më pas, në përdhesë ndodhet recepcioni, dhoma e shtypit, dhomat e takimit dhe në të ardhmen hapësirat për televizionin e FFMZ-së. Në katin e parë dhe të dytë janë sallat e takimit dhe hapësirat e zyreve, ku aktivitet e tyre do të kryejnë administrata e federatës dhe të gjitha kategoritë ekipit kombëtar. Ndërtimi i Shtëpisë së futbollit është në kuadër të investimeve të vazhdueshme në futbollin malazez. Në tëtë vitet e kaluara FFMZ në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n, ka investuar rreth 13 milionë euro në infrastrukturë", tha Saviçeviç.