Dejan Maksimoviç
30 Maj 2019•Përditësim: 01 Qershor 2019
Futbollistët e Chelsea-t mbrëmë në finalen e Ligës së Evropës deklasuan rivalin e qytetit Arsenalin me 4:1, ku një nga lojtarët më të mirë në terren ishte Eden Hazard, transmeton Anadolu Agency (AA).
Por, pas festimit Hazard deklaroi se mendon që kjo ishte ndeshja e tij e fundit në fanellën e "të kaltërve" nga Londra.
Sulmuesi belg ishte golashënuesi i dyfishtë dhe asistent kundër Arsenalit ndërsa pas finales së Ligës së Evropës tha se kalimi i tij në Real Madrid varet nga marrëveshja mes dy klubeve.
"Mendoj se kjo ishte lamtumirë, megjithëse futbollit kurrë nuk i dihet", ka thënë Hazard.
Trajneri i Chelsea-t, Maurizio Sarri, i cili me triumfin në Ligën e Evropës arriti trofeun e parë në karrierë, tha se të gjithë në klub duhet të respektojnë vendimin e Hazardit.
"E di që dëshiron të shkojë dhe duhet të respektojmë vendimin e tij. Ai është lojtar i çudishëm. Më janë dashur dy deri në tre muaj për ta kuptuar si njeri, por tani e di se ai është person i mrekullueshëm. Ai është lojtar superior, pak sa është çun i çuditshëm, por kur ta kuptoni këtë, ai është i shkëlqyeshëm", ka thënë Sarri.
Hazard në Chelsea mbërriti në vitin 2012 nga Lille. Për Chelsea-n ka luajtur 352 ndeshje dhe ka shënuar 110 gola. Ka fituar dy tituj të kampionit të Anglisë dhe nga një të FA dhe Kupës së Ligës. Në skenën ndërkombëtare dy herë fitoi kupën e Ligës së Evropës.