Blerim Krasniqi
13 Maj 2016•Përditësim: 14 Maj 2016
PRISHTINË (AA) - Federata e Futbollit të Kosovës është bërë anëtarja e 210-të e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA). Në Kongresin e 66-të të FIFA-s, të mbajtur në qytetin e Meksikos, për pranimin e Kosovës votuan 141 anëtarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilli i FIFA-s kishte sugjeruar edhe më parë pranimin e Kosovës nga ana e Kongresit, por pasi këtë kusht e ka plotësuar duke u pranuar fillimisht në UEFA më 3 Maj në Budapest, tani pranimin në FIFA ishte shumë më i lehtë dhe i pritshëm.
Kryetari i FFK-ës, Fadil Vokrri në fjalimin e tij para Kongresit, së pari falënderoi UEFA-n dhe pastaj kujtoi historinë e futbollit të Kosovës. Ai u shpreh se Kosova e meriton të bëhet anëtare e FIFA-s dhe sipas tij Kosova kishte të drejtë të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Ai tha se pranimi i Kosovës ka ndikuar edhe në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Zhelko Kojiç, kundërshtoi pranimin e Kosovës në FIFA dhe theksoi se Serbia konsideron se politika është shumë e përfshirë në sport.
Ai tha se Serbia është duke e përgatitur ankesën për në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë kundër pranimit të Kosovës në UEFA.
Siç është paralajmëruar edhe më parë, pranimi i Kosovës do të thotë përfshirja automatike e ekipit të Kosovës në garat kualifikuese për Kupën e Botës në Rusi në vitin 2018.