Figen Shaban
23 Tetor 2017•Përditësim: 24 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) - Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) organizoi ceremoninë solemne me rastin e nënshkrimit të kontratave për Bursa Olimpike “Tokyo 2020” për 19 sportistët më të dalluar kosovarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Nëntëmbëdhjetë sportistët kosovarë, nëntë prej të cilëve janë të gjinisë femërore të cilët u takojnë sporteve olimpike individuale përfituan bursa olimpike për përgatitje në Lojërat Olimpike "Tokyo 2020" në shumën prej 250 dollarë deri në 1.000 dollarë në muaj.
Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani gjatë fjalës së tij theksoi se kanë zgjedhur ditën e sotme për këtë manifestim për arsye se kjo ditë përputhet me tre-vjetorin e njohjes së përkohshme të KOK-ut nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Ai tha se njohja e KOK-ut nga KON mundësoi njohjen e të gjitha federatave të panjohura deri atëherë dhe pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në lojërat olimpike.
Sipas Hasanit me sjellje të shkëlqyeshme fituesja e medaljes së bronzit nga Nora Gjakova në Lojërat Olimpike Evropiane “Baku 2015” dhe suksesi i kampiones Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike “Rio 201”6 me medalje të artë ka ngritur në piedestal imazhin e Kosovës.
“7.100 dollarë u ndahen për çdo muaj për 36 muajt në vijim që në total tejkalon shumën prej 255 mijë e 600 dollarë. Nëse kësaj shume i shtohen edhe bursat për Lojërat Olimpike në Pionchang 2018 atëherë del se falë mjeteve nga solidariteti olimpik i KON-it por edhe mjeteve tjera të gjeneruar nga partnerët publik e privat, KOK-u për bursa olimpike ndanë rreth 300 mijë dollarë”, tha Hasani.
Ai po ashtu bëri të ditur se KOK-u do të sigurojë që çdo sportist që është jashtë kësaj liste se do të jenë bursist olimpik nëse në periudhën e ardhshme tre-vjeçare ndonjëri prej tyre arrin të fitojë ndonjë medalje në kampionatet evropiane apo botërore.
Ndërsa ai tha se trajnerët duhet të përkujdesen për ruajtjen e shëndetit dhe performancën e këtyre sportistëve duke bërë të ditur se performanca e tyre do të vlerësohet çdo katër muaj dhe se ka mundësi të ndërpritet edhe kontrata në mungesë të performancës.
Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi tha se mbështetja e drejtpërdrejt për këta sportistë do të ndikojë pozitivisht në rritjen e performancës së tyre në drejtim të arritjes së normës olimpike që do të mundësonte pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike "Tokyo 2020".
Ai u zotua për të garantuar mbështetjen e MKRS për KOK-un për sportistët duke theksuar se do ta kenë prioritet mbështetjen për sportistët që arrijnë rezultate të cilët “janë ambasadorë të Kosovës dhe përfaqësuesit më të mirë të shtetit të Kosovës”.
Trajneri i xhudisteve me famë botërore Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, Driton Kuka shprehu shpresën se do të arrihet norma olimpike së paku në tre sporte për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
“Është me rëndësi që në këtë katër vjeçarin e kaluar sporti në Kosovë ka marrë shumë medalje nga kampionatet evropiane e botërore dhe më në fund u kurorëzua edhe me medaljen në lojërat olimpike. Unë në emër të trajnerëve zotohem se do të punojmë seriozisht që të fitojmë normat olimpike dhe patjetër që nga Tokio të kthehemi me medalje olimpike”, tha Kuka.
Edhe kampionja kosovare Majlinda Kelmendi tha se beson që këta sportistë do të fitojnë normën olimpike dhe se do të krijojnë një ekip më të madh dhe të fuqishëm se më parë në “Rio 2016”.
“Unë kisha dashur ta falënderoj KOK-un dhe KON-in në emër të sportistëve për këtë bursë e cila sigurisht që do t'i ndihmon mjaft sportistët që të përgatiten për lojëra olimpike”, tha Kelmendi.
Sportistët kosovarë të cilët nënshkruan kontratat për Bursa Olimpike janë: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Herolind Nishevci, Atdhe Luzhnica, Dasar Xhelambazi, Astrit Kryeziu, Flaka Pruthi, Urata Rama, Distria Krasniqi, Edon Shala, Fortesa Orana, Drilon Ibrahimi, Viona Kryeziu, Musa Hajdari, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Alvin Karaqi, Orgesa Arifi dhe Donjeta Sadiku.