Agim Sulaj
27 Maj 2019•Përditësim: 28 Maj 2019
Mbi 10 mijë fëmijë të lindur në vitin e pavarësisë së Kosovës, në 2008, kanë shënuar Ditën Olimpike me gara vrapimi në sheshet dhe qendrat e 25 komunave pjesëmarrëse të garës së organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), raporton Anadolu Agency (AA).
Mijëra prej tyre, vrapuan të hënën në sheshin e kryeqytetit të Kosovës, nga "Zahir Pajaziti", ku filloi gara deri tek sheshi "Skënderbeu" ku ishte fundi i garës, ndërsa mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Nga vajzat, të cilat garuan të parat e që ndaluan tek Teatri Kombëtar, vendin e parë e mori Medina Fejza, të dytin Erisa Avdullahu dhe të tretin Medina Bilalli.
Kurse nga "djemtë e pavarësisë", në vendin e parë doli Rin Ahmeti, të dytin Flamur Bulliqi dhe në vendin e tretë Erion Beha.
Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, i përgëzoi fëmijët për pjesëmarrjen masive në këtë ditë, duke i falënderuar ata për një garë që përfundoi pa incidente.
Fëmijët, të cilët vrapuan për të përçuar mesazhin e dashurisë për sportin u relaksuan pas garës me muzikë dhe vallëzim.
Në garën e vrapimit me "fëmijët e pavarësisë" kanë marrë pjesë nxënës nga Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica, Gjakova, Vushtrria, Podujeva, Skenderaj, Suhareka, Drenasi, Dragashi, Obiliqi, Kaçaniku, Deçani, Malisheva, Fushë Kosova, Rahoveci, Shtimja, Klina, Vitia, Istogu, Kamenica, Juniku dhe Hani i Elezit.
Ky manifestim shënohet në nder të 23 qershorit, Ditës Olimpike dhe do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.