Alma Çekovic
09 Korrik 2017•Përditësim: 10 Korrik 2017
MANCHESTER (AA) – Sulmuesi belg, Romelu Lukaku (24), deklaroi se nuk ka qenë në dilemë kur mori ofertën që nga Evertoni të kalojë në Manchester United, raporton Anadolu Agency (AA).
“Kush do t’i thoshte 'jo' klubit më të madh në botë. Stadiumit më të mirë në Angli, tifozëve më të mirë. Kjo është një mundësi e përkryer. Mundësi të cilën e kam pritur që nga fëmijëria. Ky është klubi që dëshiron sërish të fitojë ligën dhe të jetë fuqi dominuese”, deklaroi Lukaku për ESPN.
Lukaku pranoi ofertën e Old Traford, ndonëse pati mundësi të ngjashme nga ish-klubi i tij Chelsea. Ai theksoi se nuk ka patur dyshim kur ka marrë thirrjen dhe shprehu kënaqësi që ndan historinë me klubin e Manchesterit.
“Gjithmonë kam thënë se dëshiroj të luaj për një klub që garon për çdo titull që ekziston. Mendoj se United në këtë moment dëshiron të jetë ekip dominues, fuqi dominuese. Tani është koha që të angazhohem, më shumë se asnjëherë më parë”, tha Lukaku.
Lukaku ka regjistruar 59 ndeshje për kombëtaren e Belgjikës duke shënuar 23 herë. Në sezonin e kaluar të Premier Ligës, Lukaku për Evertonin luajti 37 ndeshje dhe shënoi 25 gola.
Ndonëse në njoftimin e klubit nuk thuhet vlera e transferimit të lojtarit, mediat angleze bënë të ditur se Everton nga shitja e Lukakut do të inkasojë 75 milionë paundë (85 milionë euro).