Alma Dekovic
09 Janar 2023•Përditësim: 10 Janar 2023
Roberto Martinez është emëruar trajner i ri i kombëtares portugeze, ka konfirmuar Federata e Futbollit të Portugalisë (FPF), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Vlerësojmë entuziazmin dhe ambicien me të cilën Martinez pranoi ftesën. Ky është një moment i rëndësishëm për ekipin kombëtar", tha presidenti i FPF-së, Fernando Gomes.
Eksperti spanjoll i futbollit drejtoi kombëtaren e Belgjikës deri në dhjetor të vitit 2022, por pas barazimit me Kroacinë dhe eliminimit në fazën e grupeve të Botërorit të Katarit, ai dha dorëheqje. Ai do të pasojë Fernando Santos-in në pankinën e Portugalisë, i cili gjithashtu u largua nga posti pas dështimit në Botëror dhe eliminimit nga Maroku në çerekfinale.
Martinez më herët gjithashtu drejtoi klubet si Swansea City, Wigan dhe Everton gjatë karrierës së tij si trajner. Ai arriti suksesin e tij më të madh në futbollin e klubeve kur fitoi Kupën FA me Wigan në 2013.