Fatjon Cuka
15 Tetor 2017•Përditësim: 16 Tetor 2017
TIRANË (AA) - Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, u zhvillua sot “Gjysmëmaratona e Tiranës", ku morën pjesë më shumë se 2500 vrapues nga 40 vende të ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në garë mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në kategorinë 10 km, po ashtu edhe shumë personalitete të tjera të politikës, artit dhe sportit.
Në fjalën e tij më këtë rast, kryebashkikau i Tiranës, e konsideroi gjysmëmaratonën një "ngjarje fantastike për kryeqytetin".
Kujtojmë se ky aktivitet organizohet për të dytin vit radhazi dhe ishte i ndarë në 3 kategori të ndryshme: Half Marathon (21 Km), ku në vendin e parë në kategorinë për femra fitoi Luiza Gega nga Shqipëria, ndërsa në kategorinë për meshkuj, Abel Kibet Rop nga Kenia.
Në Kategorinë Tirana 10K (10 km), vendin e parë në kategorinë për femra e fitoi Olena Popova nga Ukraina, ndërsa kategorinë për meshkuj e fitoi Edwin Cheruiyot Melly nga Kenia.
Në kategorinë We too (persona me aftësi ndryshe,5 Km), vendin e parë e fitoi Bledar Suxha nga Shqipëria.
Sipas Bashkisë së Tiranës, ky është aktiviteti më i madh sportiv i organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe për organizimin e tij u angazhuan një numër i madh institucionesh dhe organizatash joqeveritare.