Ekip
15 Maj 2016•Përditësim: 16 Maj 2016
LONDËR (AA) - Ministri i Sportit të Rusisë Vitaly Mutko ka pranuar se vendi i tij ka një problem me dopingun dhe shprehu keqardhje që atletët e saj nuk janë kapur në mashtrimet në kohë, raporton Anadolu Agency (AA).
Rusia është suspenduar nga të gjitha garat nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), pas raporteve të cilat i publikoi Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA-s) në të cilat flitet për provat e përdorimit sistematik të dopingut nga atletët rusë.
Ministri rus në kolumnën e tij për "The Sunday Times" shkruan se janë bërë gabime të rënda në krye të federatës, jo vetëm nga atletët dhe trajnerët të cilët kanë shkelur rregullat anti-doping, duke theksuar se Rusia është "turpëruar nga ata".
"Nuk mohojmë se kemi problem në Rusi, por bëjmë çdo gjë të mundshme në nivel shtetëror për të çrrënjosur dopingun, duke përfshirë edhe dënimin e sportistëve dhe trajnerëve, për të cilët ka prova se kanë shkelur rregullat anti-doping. Por, dopingu është një problem global, jo vetëm rus", theksoi Mutko.
Vendimi për pjesëmarrjen e Rusisë në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro do të merret më 17 qershor, ndërsa ministri rus ka bërë të ditur se të gjithë atletët nga vendi i tij do ti nënshtrohen një testi rigoroz nëse iu lejohet të marrin pjesë në Lojërat.