Dejan Maksimoviç
15 Dhjetor 2015•Përditësim: 15 Dhjetor 2015
LONDËR (AA) – Trajneri i Chelsea, Jose Mourinho, pas disfatës së sërishme të ekipit të tij në Premier ligën angleze deklaroi se ndjehet si të jetë i tradhtuar, raporton Anadolu Agency (AA).
“Të kaltërtit” mbrëmë në xhiron e 16-të të Preimer ligës angleze u mposhtën nga ekipi sensacional i cili është në krye të tabelës Leicester City me rezultat 1:2 dhe gjithnjë janë në zonën e rrezikut. Tani janë në një pikë nga Norwich i cili është në vendin e 18-të.
“Meritonin të fitonin sepse ishin më të mirë se ne gjatë gjithë kohës. Mendoj se ishim më të mirë 25-30 minuta, ndërsa ata ishin dominantë një orë. Leicester është tejet i fokusuar, nuk kanë bërë asnjë gabim. Ishin agresiv dhe kanë mbajtur intensitet të lartë të lojës. Pranuam dy gola që janë të papranueshëm për mua, sepse e di se një nga cilësitë e mia më të mira është të lexoj lojën e lojtarëve të mi”, tha Mourinho.
Ai ndër të tjera shtoi: “E lexoj kundërshtarin dhe identifikoj çdo detaj në të. Këto dy gola i pranuam nga aksionet e tyre të pritshme. Goli i parë u shënua pas nisjes së Jamie Vardy mes dy qendërmbrojtësve pas krosimit të Riyad Mahrez. Tjetri u shënua kur Mahrez ishte një me një në gjashtëmbëdhjetëshe. Në situata të tilla ka dashur një kundër dy lojtarëve, që mesfushori të mbyll këmbën e tij të majtë. Më vjen rëndë t’i pranojë këto dy gola, ndjehem sikur puna ime është tradhtuar”.
Kampioni aktual gjithnjë e më larg katër pozitave që shpijnë në Ligën e Kampionëve. Manchester United që momentalisht është në pozitën e fundit që shpie në elitën evropiane ka madje 14 pikë më shumë se Chelsea. Leicester City pas 16 xhirove të luajtura ka 35 pikë dhe ka pozitën e parë, ndërsa Chelsea është në pozitën e 16-të me gjithsej 14 pikë.