Fatjon Cuka
07 Shtator 2017•Përditësim: 08 Shtator 2017
TIRANË (AA) - Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Pannucci, në një konferencë për mediat në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ka folur rreth dy ndeshjeve të fundit, Shqipëri-Lihtenshtejn (2-0) dhe Maqedoni-Shqipëri(1-1), raporton Anadolu Agency (AA).
Ai ka theksuar se me dy ndeshjet është i kënaqur, dhe sipas tij me arritjen e këtyre rezultateve duhet shikuar përpara për dy ndeshjet e radhës.
"Jam këtu për të bërë një analizë se çfarë ka ndodhur me këto dy ndeshje. Në momentin kur mundëm Lihtenshtejnin është dukur gjithçka e thjeshtë, por absolutisht asgjë nuk ka qenë e thjeshtë. Për të dyja ndeshjet në fund mund të them që jam i kënaqur", theksoi Panucci.
Duke folur për ndeshjen me Maqedoninë e cila përfundoi me rezultatin barazim 1-1, ai tha se "Ndaj Maqedonisë zgjodha Lilën dhe Kukelin, sepse i trembesha dëshirës së kundërshtarëve për të fituar, duke sakrifikuar disi në aspektin e lojës. Vendosa katër lojtarë përpara, Hyka, Roshi, Llullaku dhe Sadiku, për të vetmin fakt se nëse do të humbnisnim topin, natyrisht që Maqedonia do të ishte e ashpër në kundërsulm dhe mund të pësonim. Edhe pse në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, mund të them se nuk vuajtëm".
Shqipëria në ndeshjet e radhës do të përballet me Spanjën më 6 tetor dhe Italinë më 9 nëntor të këtij viti.
Në grupin kualifikues “G” për në Kampionatin Botëror "Rusi 2018" në ndeshjet e zhvilluara deri tani kryeson Spanja me 22 pikë, pastaj Italia 19, Shqipëria 13, Izraeli 9, dhe Maqedonia 7 dhe Lihtenshtejni me asnjë pikë.
Pas përfundimit të eleminatoreve do të planifikohen edhe miqësoret e radhës për Kombëtaren e Shqipërisë, duke nisur nga muaji nëntor.