Aldıjana Hadzıc
10 Dhjetor 2018•Përditësim: 11 Dhjetor 2018
MADRID (AA) – Argjentinasit e River Plate, në ndeshjen e kthimit të Kupës Libertadores, e cila llogaritet si Liga e Kampionëve të Amerikës së Jugut, mposhtën ekipin e Boca Juniors (3:1) me çka dhe morën titullin e më të mirit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndeshja u luajt në stadiumin Santiago Bernabeu në Madrid.
Futbollistët e Boca Juniors në gjysmën e parë lëshuan disa raste të mira për të shënuar, ndërsa Dario Benedetto në minutën e 44-të qëlloi rrjetën e kundërshtarit.
Megjithatë, Lucas Pratto barazoi në minutën e 68-të.
Në kohën shtesë, Boca Juniors vazhdoi lojën me një lojtar më pak, meqë Wilmar Barrios mori kartonin e kuq.
Stadiumi u përfshi nga gëzimi në minutën e 109-të, atëherë kur pas një goditje fantastike të Juan Quintero, topi përfundoi në rrjetën e River Plate.
Gonzalo Martinez në minutën e 120-të, vulosi fitoren për të çuar shifrat në 3: 1.
Kjo është hera e katërt që River Plate merr titullin e më të mirit në Amerikën e Jugut.
Ndeshja e dytë e Kupës Libertadores e cila njihet si Liga e Kampionëve e futbollit amerikano-jugorë pritej të luhej më 24 nëntor në stadiumin "Antonio Vespucio Liberti" të River Plate-s, por pasi tifozët e këtij klubi sulmuan autobusin e klubit të Boca Juniors, ndeshja ishte anuluar.
Përballja e parë mes dy ekipeve në stadiumin "La Bombonera" të Boca Juniors përfundoi me rezultatin 2-2.
Kupën Libertadores deri më tani River Plate e fitoi 3 herë (1986, 1996, 2015), ndërsa Boca Juniors 6 herë (1977, 1978, 2000, 2001, 2003, 2007).