Bakir Tiro
11 Korrik 2016•Përditësim: 11 Korrik 2016
PARIS (AA) - Momenti më i lumtur në karrierë. Jam i lumtur! Tejet i lumtur. Këtë e kam pritur që nga viti 2004, nga disfata në finalen e EURO-s nga Greqia. E kam lutur Zotin të bëhemi kampion dhe të gjitha lutjet më janë plotësuar, tha Cristiano Ronaldo, kapiteni i kombëtares së Portugalisë e cila mbrëmë në Paris në finalen e Kampionatit Evropian fitoi nikoqirin Francën me rezultatin 1:0, raporton Anadolu Agency (AA).
Ronaldo për shkak të lëndimit braktisi finalen në minutën e 25-të por një gjë e tillë nuk e zvogëloi festën e madhe pas ndeshjes në "Stade de France".
"Gjithmonë kam ëndërruar për titullin me kombëtaren dhe tani ëndrra ime është realizuar. Për të gjithë portugezët ky është moment i veçantë, ditë të cilën të gjithë do ta kujtojmë", tha Ronaldo.
"Fatkeqësisht në finale nuk kam luajtur sa duhet, por i kam mbështetur dhe kam besuar tek bashkëlojtarët. Jemi udhëhequr me qasjen e drejtë. Me taktikën e mirë kemi arritur ta mposhtim Francën e fuqishme", tha ylli portugez.
Në karrierën e klubeve Ronaldo ka arritur të fitojë gjithçka që është mundur të fitohet. Në fanellën e Real Madridit dy herë ka qenë fitues i Ligës së Kampionëve, dhe po ashtu edhe njëherë me Manchester United-in.
Gjithsej, në karrierë ka arritur të fitojë 17 trofe të klubit. Tre herë është zgjedhur futbollisti më i mirë në botë. Njëherë është shpallur për lojtarin më të mirë të sezonit në zgjedhjen e UEFA-s.
Në EURO 2016 ka vendosur një rekord dhe një tjetër ka barazuar. Ronaldo u bë futbollisti me më shumë paraqitje në kampionatet evropiane me 21 ndeshje të zhvilluara. Gjithsej ka shënuar 9 gola në kampionatet evropiane duke u barazuar në vendin e parë të listës së golashënuesve me legjendën franceze Michel Platini.