Dejan Maksimoviç
17 Nëntor 2015•Përditësim: 17 Nëntor 2015
BRUKSEL (AA) - Federata belge e futbollit në faqen e saj zyrtare ka informuar opinionin se ndeshja miqësore me kombëtaren e Spanjës, e cila është planifikuar të luhet sonte në Bruksel, është anuluar për shkaqe sigurie, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç theksohet në komunikatën e këtij institucioni, vendimi i tillë është marrë pas konsultimeve me Qeverinë e Belgjikës, e cila rekomandoi që loja të shtyhet.
“Pas bisedimeve me autoritetet dhe Federatën Spanjolle të Futbollit, Federata belge ka vendosur që të anulojë ndeshjen miqësore. Të hënën në mbrëmje, qeveria na ka kërkuar të mos luhet ndeshja e planifikur. Kjo është bërë meqë kërcënimi nga ndonjë sulm terrorist është i lartë, ndërsa edhe një i dyshuar mbetet në liri. Shprehim keqardhjen tonë të thellë se ndeshja miqësore ndërmjet dy ekipeve të mëdha nuk do të luhet dhe që vendimi është marrë kaq vonë", thuhet në deklaratën e Federatës belge të futbollit.
Nga kjo federatë thonë se e kuptojnë dëshpërimin e shumë mbështetësve për shkak të anulimit të ndeshjes, por siç potencuan, nuk mund të vënë në rrezik jetën e tyre dhe të futbollistëve.
Ata që kanë blerë bileta për ndeshjen në stadiumin "Stade Roi Baudouin" në Bruksel gjatë javës do të informohen më thellësisht mbi kthimin e parave ose ndonjë forme tjetër të kompensimit.
Shqetësimi për sigurinë e të pranishmëve në ndeshjen Belgjikë-Spanjë pasoi pas një sërë sulmesh terroriste në Paris, më 13 nëntor, ku janë vranë 129 njerëz. Më pas vijoi edhe numri i madh i arrestimeve në Belgjikë, të cilët dyshohen se kanë lidhje me sulmet në kryeqytetin francez.
Një nga objektivat e sulmit ishte edhe stadiumi "Stade de France" ku në ato çaste po luhej ndeshja miqësore ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, ndërsa në tribunat ishin të pranishëm rreth 80 mijë persona. Përkundër këtyre ngjarjeve, francezët do të luajnë sonte në "Wembley" ndeshjen e planifikuar me Anglinë.