Ahmet Sait Akçay
29 Dhjetor 2015•Përditësim: 30 Dhjetor 2015
JOHANESBURG (AA) - Fisi Venda në krahinën Limpopo në veri të Republikës së Afrikës së Jugut zhvillon dyluftimin tradicional të "boksit pa dorëza". Ky fis me këtë e mbanë gjallë traditën 200 vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).
Dueli i boksit që mban emrin "Musangwe" zhvillohet me pjesëmarrjen e qindra të rinjve dhe të pleqve në fushë të hapur të fshatit Tshifudi në veri të krahinës Limpopo. Fituesit e dyluftimeve të cilat zhvillohen edhe në fshatrat përreth, paraqiten në ditën e dytë të Vitit të Ri.
Turneu, ku nuk jepet ndonjë çmim, e përfaqëson guximin dhe forcën në kulturën tradicionale afrikane.
Kampioni i vitit të kaluar dhe kryetari i sportit tradicional "Musangwe", Tshilidzi Poison Ndevana në deklaratën për gazetarin e AA-së tregoi se duelet e boksit vazhdojnë që nga shekulli i 18-të.
"Ne sot boksojmë për të bartur krenarinë e fshatit tonë pas qindra vtesh. Boksi ka rregula, nëse ndonjëri nga ata të cilët janë mbledhur në fushë dëshiron të përballet në dyluftim e ngre grushtin e tij lartë dhe kandidon. Tregohet kujdes që kundërshtari të jetë i të njëjtës peshë", tha Ndevana.
Në duelet në të cilat ndalohet goditja me këmbë dhe kafshimi nuk përdoren as dorëza.
Boksierët ndiqen nga delegacioni i të moshuarve me vëmendje, në rast se boksieri bën shkelje të rregullave përjashtohet nga loja.
Ndevana tha se ka njerëz që marrin pjesë në ndeshjet nga fshatrat e ndryshme dhe ftohen në fushë me këngë e valle. Sipas tij, tradicioni nuk do të vdes asnjëherë në fisin Venda. Ai tregon se fëmijët që nga mosha 12-vjeçare inkurajohen në këtë sport, ku marrin pjesë në dyluftimet e moshave 20-vjeçare.
"Me vazhdimin e përballjeve të boksit i nderojmë paraardhësit tanë, shprehim mirënjohjen tonë ndaj tyre", thotë ai.
Turneu tradicional i boksit Musangwe, edhe pse nuk mbështetet, njihet si aktiviteti i sportit më të rëndësishëm në rajon. Duelet të cilat mbështeten dhe sponsorizohen nga ana e popullit vendas, nisin pas dreke dhe vazhdojnë deri në perëndimin e diellit.
Ndevana thekson se për të qenë boksier i mirë duhet të respektohen rregullat dhe familja. "Qëllimi i kësaj tradite, është që të mësojë të rinjtë se si duhet të respektohen mes vete, dhe të mbrojnë veten dhe shokët e tyre", tha ai.
Njëri nga shikuesit e përballjeve të boksit, Rendani Tshishonda tha se ky sport është i paraardhësve të tyre. "Në fëmijërinë tonë gjithmonë u inkurajuam dhe duke e mbështetur këtë sport duhet ta mbajmë gjallë kulturën dhe traditën", u shpreh Tshishonda.