Muhammed Enes Çallı
30 Mars 2020•Përditësim: 31 Mars 2020
Trupi drejtues i futbollit evropian UEFA të mërkurën do të mbajë takim virtual me 55 shoqatat anëtare në një konferencë me video për të diskutuar rreth gjasave të ricaktimit të ndeshjeve dhe organizimeve të pezulluara për shkak të pandemisë së koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"UEFA ka ftuar Sekretarët e Përgjithshëm të 55 shoqatave të saj anëtare në një video-konferencë të mërkurën më 1 prill në mesditë për të ndarë azhurnimin e bërë nga dy grupet e punës që u krijuan dy javë më parë dhe për të diskutuar opsionet e identifikuara në lidhje me mundësitë e ricaktimin e ndeshjeve", thuhet në një kumtesë të UEFA-s.
"Në takim do të shqyrtohen zhvillimet në të gjitha garat e përfaqësuesve kombëtare dhe të klubeve të UEFA-s, si dhe do të diskutohet përparimi në nivel të FIFA-s dhe të Evropës në çështje si kontratat e lojtarëve dhe sistemin e transferimit", thuhet gjithashtu në kumtesë.
Koronavirusi ka goditur organizimet sportive në botë, siç janë ligat e futbollit, me ç'rast janë anuluar organizimet, përfshirë edhe ato të UEFA-s.
Koronavirusi i ri, i njohur si COVID-19, u shfaq për herë të parë në muajin dhjetor në qytetin kinez Wuhan dhe që atëherë është përhapur në të paktën 177 shtete dhe rajone në botë.