Besar Ademi
16 Gusht 2017•Përditësim: 16 Gusht 2017
SHKUP (AA) – Pasditen e sotme skuadra e futbollit nga Turqia “Fenerbahçe” ka arritur në Shkup për të luajtur ndeshjen kualifikuese kundër skuadrës maqedonase “Vardar”, në kuadër të xhiros së parë “play-off” të UEFA Liga e Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).
Skuadra e Fenerbahçes në aeroportin “Aleksandri i Madh” u prit nga një delegacion i Ambasadës së Turqisë në Shkup, i kryesuar nga ambasadorja Tülin Erkal Kara, ndërsa më pas u shoqëruan në hotelin privat ku do jenë të vendosur.
Skuadrën e Fenerbahçes para hotelit në Shkup e pritën një grup tifozësh të cilët me duartrokitje dhe me brohoritjen e emrave të lojtarëve përshëndetën të preferuarit e tyre.
Siç është paralajmëruar më herët, Fenerbahçe në mbrëmje do të drejtohet në një konferencë për media, ndërsa më pas do t’i zhvillojë stërvitjet e para në prag të ndeshjes kundër Vardarit.
Ndeshja kualifikuese e xhiros së parë “play-off” mes Vardarit dhe Fenerbahçes do të luhet mbrëmjen e nesërme në stadiumin kombëtar “Filipi i dytë”.