Dejan Maksimoviç
01 Nëntor 2018•Përditësim: 02 Nëntor 2018
LONDËR (AA) - Arsene Wenger (69), drejtuesi i dikurshëm i Arsenalit, ka thënë se do t'i kthehet punës së trajnerit, me gjasa në fillim të vitit të ardhshëm, por jo në Angli, transmeton Anadolu Agency (AA).
Wenger, i cili kaloi plot 22 vite tek "topçinjtë", në fund të sezonit të kaluar vendosi të largohet nga klubi londinez dhe që atëherë nuk është marrë me punën e trajnerit.
"Me siguri nuk do të angazhohem në ndonjë klub anglez. Tërë jetën ia kamë kushtuar një klubi dhe kjo është e vështirë, por edhe nuk do të pranohet mirë", ka thënë Wenger për mediat britanike.
Eksperti francez, i cili me Arsenalin fitoi tre tituj të kampionit të Anglisë dhe 7 trofe të Kupës FA, thotë se i mungon futbolli dhe se ka mbetur tifoz i "topçinjëve".
Atë e zëvendësoi Unay Emery, i cili pati një fillim solid. Arsenali aktualisht mbanë pozitën e katërt, kurse fundjavën e kaluar me barazimin kundër Crystal Palacea përmbylli vargun e 7 fitoreve të njëpasnjëshme.
"Kur ndjek ndeshjet, atëherë bëj tifo për Arsenalin. Gëzohem kur fiton Arsenali, dhe pikëllohem kur humb. Mirë është se gjërat shkojnë si duhet. Më mungon loja, intensiteti dhe bukuria e futbollit. Puna me skuadër dhe shkëmbimi i emocioneve janë gjëra që mungojnë, por nuk ndjej mungesë për gjërat negative në ndeshje", përfundon Wenger.
Francezi kohët e fundit deklaroi se në janar mendon t'i kthehet futbollit dhe se ka oferta shumë interesante nga federata dhe klubet nga e gjithë bota.