Alma Çekovic
02 Mars 2018•Përditësim: 02 Mars 2018
LONDËR (AA) - Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se klubi i tij ka ende kohë të shpëtojë sezonin, pavarësisht nga fakti se mbetet dhjetë pikë pas vendit të katërt, transmeton Anadolu Agency (AA).
Humbjen e fundit dhe të tretë në pesë takimet e fundit në Premier Ligë, Arsenali e përjetoi mbrëmë në fushë të vet kundër liderit të tabelës Manchester City (0:3).
Disfata kundër Manchester City la Arsenalin me dhjetë pikë nën pozitën e katërt dhe triumfi eventual në Ligën e Evropës është mundësia e vetme për të arritur në Ligën e Kampionëve, garën më elitore të klubeve evropiane.
I pyetur nëse është e mundur të shpëtohet sezoni, menaxheri i Arsenalit u përgjigj në mënyrë konfirmuese.
"Duhet të qëndrojmë së bashku, por është e vështirë. Ngjitemi shkallëve dhe zbresim me ashensor. Ky është vetëbesimi. Ky është niveli që duhet të tregoni për të luajtur për Arsenalin", ka thënë Wenger, duke theksuar se e vetmja gjë që i mbetet ekipit të tij është që të përqëndrohet në ndeshjen e ardhshme kundër Brighton në xhiron e 29-të të Premier Ligës.
Francezi Wenger që nga viti 1996 ndodhet në stolin e klubit londinez dhe ka stazhin më të gjatë nga të gjithë trajnerët në Premier Ligë. Kontratën me klubin e Londrës ai e rinovoi vitin e kaluar, pavarësisht kritikave gjithnjë e më të shpeshta të tifozëve dhe ekspertëve të futbollit.