Selçuk Buğra Gökalp
16 Korrik 2024•Përditësim: 17 Korrik 2024
Futbollisti zviceran me prejardhje kosovare, Xherdan Shaqiri, ka njoftuar tërheqjen e tij nga përfaqësuesja zvicerane e futbollit pas një periudhe 14-vjeçare, transmeton Anadolu.
"Shtatë turne, shumë gola, 14 vite me kombëtaren e Zvicrës dhe momente të paharrueshme. Është koha për t'i thënë lamtumirë kombëtares. Mbeten kujtimet e mrekullueshme dhe ju them të gjithëve: Faleminderit!", shkroi 32-vjeçari mbrëmë në Instagram.
Shaqiri është lojtari i dytë zviceran për nga numri i paraqitjeve, me gjithsej 125 ndeshje të zhvilluara. Ai është edhe golashënuesi i katërt më i mirë i kombëtares me 32 gola.
Në një postim në X lidhur me Shaqirin të bërë nga përfaqësuesja zvicerane thuhet: "I vetmi lojtar që shënoi në gjashtë garat e fundit të mëdha, EURO dhe Kupat e Botës. Me të vërtetë një legjendë e lojës".