Nuran Erkul
08 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
ANKARA (AA) – Banka Botërore (BB) dhe kompania turke për transport të karburantit (BOTAŞ) nënshkruan marrëveshje për kredi e cila është aprovuar në vlerë prej 400 milionë dollarëve për nevojat e ndërtimit të gazsjellësit transanadollian (TANAP), raporton Anadolu Agency (AA).
Në prani të ministrit turk të Energjetikës dhe Resurseve Natyrore Berat Albayrak, marrëveshjen sot e nënshkruan zëvendëskryetari i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë e Mesme, Cyril Muller, dhe drejtori i përgjithshëm i BOTAŞ-it, Burhan Ozcan.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministri turk i Energjetikës dhe Resurseve Natyrore, Berat Albayrak, tha se sot po nënshkruhen projekte konkrete për mbështetjen e projekteve të gjata të Turqisë në tregun energjetikës. "Të gjithë e dimë se sa sektor i rëndësishëm është energjetika jo vetëm për Turqinë, por edhe për tregjet botërore dhe globale", vuri në pah Albayrak.
Ndërkaq, duke theksuar se një projekt i caktuar duhet të ketë kuptimin 'fito-fito' për palët, Albayrak u shpreh se "Po ashtu, nëse projekti është në shërbim të kërkesave dhe sigurisë së tregut energjetik rajonal dhe global dhe, më me rëndësi, nëse kontribuon në mirëqenien dhe paqen globale, Turqia që më parë ka deklaruar se është në anën e një projekti të këtillë".
Sipas tij, TANAP është një projekt projekt i cili ëndërrohet prej dhjetë vitesh në rajonin në të cilin ka hyrë.
"Teksa po avancojmë drejt hapjes së sistemit të parë të gazit të cilin me lejen e Zotit do ta hapim vitin e ardhshëm dhe dy të tretën e të cilit thuajse e kemi përfunduar, në aspektin e financimit ndërkombëtar të këtij projekti, gjendemi së bashku me Bankën Botërore për marrëveshjen kreditore për financimin prej 400 milionë dollarësh. Aq sa është me rëndësi realizimi i projektit në tregun energjetik, po aq shumë i rëndësishëm për ekonominë tonë është edhe fakti që Turqia filloi vitin 2017 me një pako të këtillë financiare në aspektin e zhvillimeve të viteve të fundit në financat globale dhe tregjet ekonomike", tha Albayrak, duke shtuar se në kuadër të projekteve energjetike synojnë pako investitore prej afërsisht tre miliardë dollarësh edhe me bankat ndërkombëtare investitore.
Nga ana tjetër, zëvendëskryetari i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë e Mesme, Cyril Muller, në fjalën e tij tha se projekti do të ndihmojë në sigurinë energjetike të Turqisë dhe diversifikimin e importit të gazit të Azerbajxhanit.
Duke informuar se kanë bashkëpunime shumëvjeçare me Turqinë, Muller u shpreh se financat e lëshuara për TANAP janë shembull i mbështetjes që Banka Botërore ofron për projekte rajonale.
Muller vuri në pah se në të njëjtën kohë edhe Agjencia Garantuese për Investime Multilaterale (MIGA) do të sigurojë garanci prej 1.2 miliardë dollarësh për projektin.
"Krahas financave të Bankës Botërore për TANAP, edhe nga organizatat e tjera ndërkombëtare do të sigurohet kredi prej 2.4 miliardë dollarësh për projektin", njoftoi Muller.
Ndryshe, gazi i parë për Turqinë përmes TANAP-it të gjatë gjithsej 1.850 kilometra do t'i jepet Turqisë në qershor të vitit 2018. Ndërkaq, projekti synon ta furnizojë me gaz edhe Evropën në vitin 2020.