Sultan Çoğalan
08 Shkurt 2017•Përditësim: 08 Shkurt 2017
ANKARA (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu duke vënë në dukje se objektivi i mëpasshëm është operacioni në Rakka tha se "Operacioni i Rakka-s duhet të bëhet me personat e duhur dhe jo me organizata të tjera terroriste. Ne si vende të rajonit dhe vende brenda koalicionit mund dhe duhet t'i vendosim në veprim forcat tona speciale", raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu dhe ministri i Jashtëm saudit Adil el-Xhubejr, pas "takimit të Këshillit Koordinues Turko-Saudit" i cili përfundon ditën e sotme kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.
Pas pyetjes së një gazeztari rreth bisedës telefonike mes Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit amerikan Donald Trump, ministri Çavuşoğlu, ka theksuar se mes presidentëve Erdoğan dhe Trump mesnatën e mbrëmshme është zhvilluar një bisedë telefonike jashtëzakonisht e dobishme, ku dy liderët kanë shprehur vullnetin e përbashkët për forcimin dhe zhillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe kanë vlerësuar çështjet rajonale kryesisht luftën kundër terrorizmit njëra prej të cilave ka qenë lufta kundër DEASH-it.
Ai tha se dy liderët në bisedën e tyre kanë diskutuar edhe për hapat lidhur me procesin e mëtejshëm.
"Në procesin tonë të mëpasshëm për DEASH-in ka tre hapa kritik. Në Siri rajoni El Bab dhe Rakka dhe në Irak Mosuli janë qytete strategjike për DEASH-in. Kanë vënë në dukje vullnetin për luftën e përbashkët për pastrimin e DEASH-it dhe humbjes së tij në këto qytete. Për këtë arsye duhet të përfundojë sa më parë operacioni El Bab. Në kohët e fundit forcat tona speciale, ushtria dhe ushtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane kanë shënuar përparime serioze. Gjithashtu edhe koalicioni ka ofruar mbështetjen nga ajri, si dhe Rusia ka kryer operacione kundrejt DEASH-it. Dëshirojmë që ky operacion të përfundojë sa më parë", tha Çavuşoğlu.
Ndërsa në lidhje me operacionin në Rakka, Çavuşoğlu tha se "Sigurisht që objektivi i mëpasshëm është operacioni Rakka. Operacioni i Rakka-s duhet të bëhet me personat e duhur dhe jo me organizata të tjera terroriste".
"Edhe mendimi i Arabisë Saudite për këtë çështje është i njëjtë. Ne si vende të rajonit dhe vende brenda koalicionit mund dhe duhet t'i vendosim në veprim forcat tona speciale. Në terren duhet të bashkëpunojmë me forcat opozitare, pra me opozitarët e moderuar, me Ushtrinë e Lirë Siriane. Në luftën kundër organizatës terroriste DEASH nuk duhet të lidhemi me organizata të tjera terroriste. Nuk duhet të kemi besim tek ato. Në të kundërtën do të jetë një gabim serioz për të ardhmen e Sirisë", tha ministri Çavuşoğlu.
Më tej ai tha se "Si Turqi dhe Arabi Saudite jemi përpjekur që këto ti shpjegojmë edhe qeverisë së mëparshme, por fatkeqësisht nuk ka qenë e mundur të dëgjohej fjala jonë".
"Fatkeqësisht është dhënë mbështetje një organizate terroriste si PYD/YPG e cila faktikisht nuk është ndryshe nga DEASH-i përsa i përket ideologjisë, qëllimeve të ndryshme. Kemi shprehur keqardhjen tonë për këtë. Kemi thënë se ky ishte një hap shumë i rrezikshëm për të ardhmen e Sirisë. Ne do të zhvillojmë bashkëpunim me SHBA-të në luftën kundër DEASH-it në të gjithë këto qytete dhe në përgjithësi. Ne besojmë se lufta jonë e mëpasshme do të jetë më efektive dhe se do të pastrojmë DEASH-in në një kohë të shkurtër nga Siria dhe Iraku", tha Çavuşoğlu.